Nga historia e gjatë e politikës me akuza e topa balte e Gazmend Bardhit, do mbahet mend edhe ajo kundër ish ministrit demokrat Flamur Noka.

Bardhi e akuzonte Nokën se fshinte pronësinë e një vile 760 mijë euro në Gjirin e Lalëzit dhe se kishte miqësi të forta me trafikantë të drogës në Britaninë e Madhe.

“Kujt i paskam vendosur gjobë unë, oligarkut të farmaceutikës pas emrit të të cilit Flamur Noka fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lazit? Meqë edhe atë e takon çdo fundjavë, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë ndonjëherë. Dhe kur ta pyesë, Flamur Noka bën mirë të kujtohet sa herë ka ndërhyrë për të që Partia Demokratike të mos e përfshinte në denoncimet për abuzimet me tenderat në shëndetësi”, deklaronte Bardhi.

Sipas tij, në kohën kur Noka ishte ministër i Brendshëm, lejoi trafikimin e drogës drejt Britanisë së Madhe, e me ato para që përfitonte, i pastronte me pasuri të paluajtshme.

“Kujt i paskam vendosur gjobë unë, mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i Brendshëm mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajshme? Meqë rri shpesh për dreka e darka, Flamur Noka mund ta pyesë vetë edhe atë”- shkruante Bardhi.

Sipas Bardhit, miku trafikant i Nokës mori në qafë edhe Sali Berishën, duke i veshur damkën për lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar.

Sot duket se Gazmend Bardhi i ka harruar akuzat e tij duke u shfaqur krah për krah me Flamur Nokën, që dikur e quante mik të trafikantëve e oligarkëve.

I bashkuar me Nokën dhe Berishën, nongratën e të cilit e konsideronte një turp për PD, Bardhi ka ndryshuar si zakonisht, kursin e shpifjeve të tij, këtë herë drejtuar ndaj kundërshtarëve në krahun tjetër të politikës.