Diskutimet në Konferencën e Kryetarëve janë zbardhur ditën e sotme. Mësohet se kreu i Grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi ka theksuar se ngritja e komisioneve ka qenë pseudo-konflikt. Po ashtu në fjalën e tij ka theksuar se ata janë të hapur dhe të gatshëm që të diskutojnë për ngritjen e tyre. Po ashtu Çuçi ka deklaruar se roli i opozitës në Parlament është i rëndësishëm, pasi ka dhe ligje që duan shumicë të cilësuar votash.

“Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore. Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar. Ka një sërë ligjesh që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar siç është amnistia penale, por edhe ligje të tjera që lidhen edhe me rrugën e integrimit në BE e jo vetëm. Kështu që përfshirja e opozitës është e rëndësishme për të pasur një produkt të mirë në finale”, tha Çuçi.