GJKKO ka dënuar me 2 vite burg ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokajn.Gazetarja Klodiana Lala raporton për Balkanëweb se dënimi, me gjykim të shkurtuar, është 1.4 vite burg.
Po ashtu, GJKKO ka dhënë dënim plotësues për Frrokajn, që për 5 vite i hiqet e drejta që të ushtrojë funksione publike.
Frrokaj akuzohet për tjetërsim të pronave pranë Ranës së Hedhun në Lezhë.
NJOFTIM PËR MEDIAT
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 15.10.2022 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve Fran Frrokaj, Sokol Toma, Bledar Cara, Gjovalin Marku, Adiona Martini, Juxhina Mema akuzuar për figurën e veprës penale“Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Erjon Çela dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 13, datë 01.03.2024 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Frrokaj, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Fran Frrokaj me 1 (një) vit dhe 4 (katër) burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Fran Frrokaj do të fillojë nga dita e marrjes formë të prerë të këtij vendimi dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
Në zbatim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e të drejtës për të pandehurin Fran Frrokaj për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5 vjeçar.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Sokol Toma, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësiperme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Sokol Toma me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdherohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim duke e vënë të pandehurin Sokol Toma në provë për një periudhë kohe prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vëndbanimin e tij.
Në zbatim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e të drejtës për të pandehurin Sokol Toma për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5 vjeçar.
Pushimin e gjykimit të çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Bledar Cara, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi në zbatim të neneve 387/1 dhe 328/1/e të K.Pr.Penale, rezulton se me vendim të formës së prerë i pandehuri është gjykuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Gjovalin Marku, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Gjovalin Marku me 1 (një) vit burgim.