Humbja e të atit 3 vite më parë, pa patur kohën e mjaftueshme që të krijonte kujtimet e saj me të dhe të përshëndetej si duhet,i ka lënë Albës një brengë të madhe. Një dhimbje të ngjashme bashkëshorti i saj, Adriani e ka përjetuar një vit më parë. Nëna e tij ndërroi jetë për shkak të moshës dhe dhimbja është ende e freskët.

Alba rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikë e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se si po e përjeton bashkëshorti i saj, i cili ka patur një lidhje shumë të veçantë me nënën. Ajo e konsideron të pamjaftueshëm ngushëllimin e saj dhe ka bërë përpjekje që gjatë kohës që e ndjera ishte ende në jetë, Adriani të përfitonte nga këto momente për të mos kaluar situatën e Albës. Megjithatë, Adriani ndjek ende disa rituale në kujtim të saj.

Alba: Muajt e fundit ajo zuri shtratin për shkak të moshës dhe pamundësisë dhe Adit iu desh të përkujdesej edhe fizikisht për të, të ishte prezent me gjithçka që asaj i duhej. Ditë pas dite, gjërat për të rëndoheshin psikologjikisht. Përveçse mbështetjes morale, fizike që ne duhet ta përballonim së bashku, ishte shumë e vështirë të gjeje një frazë ngushëllimi për ta bërë të kuptonte që nëna tashmë kishte marrë një rrugë pa kthim dhe as me fjalë nuk gjeta dot t’ia thoja, por një ditë kur e pashë ashtu të tensionuar, u ula dhe i çova një mesazh. Ndonjëherë edhe telefoni na shërben për një gjë të mirë dhe i shpreha ndjesitë e mia dhe brengën time që nuk pata mundësi t’i shërbej babait tim. I sugjerova që të shihte anën pozitive të kësaj gjëje që po ndodhte. I thashë që tashmë rruga për të ikur është nisur, i thashë mundohu që ti t’i marrësh më të mirën kësaj gjëje, ta quash si një sprovë ndaj Zotit që ti po i shërben njeriut tënd më të dashur. Jo të gjithë fëmijët sprovohen në shërbim të nënës.

Ardit Gjebrea: Asnjëherë nuk është e mjaftueshme.

Alba: Asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Çfarëdo që të bësh, sikur të rrish prapë 24 orë dhe ato orët e gjumit ti thua pse i bëra, në momentin që ikën nëna kështu që çfarëdo që të thuash… është një ndjesi…

Alba: E di që ai ende nuk e ka kaluar, sado që nuk e jep veten kanë ngelur ende disa rutina të përditshme të tij, shkon ende te shtëpia e nënës, ushqen ende një zog që ne ia kishim blerë për ditëlindje, hap dritaren të ajroset, vjen prapë në shtëpi, merret me ca gjëra pasditeve kur kthehet nga puna dhe përsëri, pavarësisht se pësojmë, ne nuk mësojmë.