Si ka lindur marrëdhënia juaj me shkrimin ?
-Këtë e kam vështirë ta mbaj mend saktë, pas gjithë këtyre viteve. Ndoshta puna e
herëshme në gazetari, detyrimi për të kryer një shkrim brenda afatit të caktuar nga
redaksia, ka ndikuar në ushtrimin e disiplinimin e të shkruarit.
Mendoni se ka një raport të thellë mes shkrimit dhe leximit ?
-Natyrisht. Askush nuk shkruan dot pa asimiluar fillimisht lëndë letrare para-rendëse.
Dhe sa më e lashtë të jetë kjo në raport me moshën aktuale të autorit e të epokës, aq
më mirë.
Ju jetoni në Francë, çfarë ndryshon atje në raport me Shqipërinë përsa i përket
atmosferës kulturore ?
-Përsa në Francë prania e peizazhit kulturor shqiptar është gati e papërfillëshme, po aq
e ndjej unë detyrimin të qep opinionin tim për këtë raport me një fill të vetëm.
Cila është disiplina më e afërt me letërsinë?
-Ndoshta filmi, kinemaja.
Sa ka ndikuar politika në shkrimet tuaja, pasi dihet që jeni një autor mjaft jo korrekt
politikisht?
-Politika, s’e besoj se më ka ndikuar. Vetëm sa më ka çuar në reagime ; si dhe ma ka
lënë në dorë, pa dashje, natyrisht, t’i përdor teatralisht, disa personazhe të saj.
Vepra juaj konsiderohet shpesh si « postmoderne » dhe « e vështirë », sa ju ndikon kjo
ju dhe a mendoni se këto cilësime vlejnë teknikisht?
-Cilësimet mund të vlejnë teknikisht, por jo dhe aq shpirtërisht. Ka rrëfime, tema e të
cilave nuk mund të stiset me anë të prozës « klasike ». Në këtë periudhë të fundit, jam
prirur të shkruaj në formë më drejtëvizore, por pa ju nënshtruar përkufizimeve të një
teksti më fillim të qartë, me një mes të dukshëm e një fund preçiz. Mendoj se, lexuesi ynë lyp shpesh tekste « të shtruara », lineare e pozitive. Mbase për shkak të dhunës që
shoqëria i bën vetes te ne, e ndihmuar nga politika aktuale. Unë mendoj se kjo kërkesë
është veç uri për më tepër iluzion. Nëse mund ta përmbledh shpejt jetën e krijimit
artistik, do shënoja : infinit-informacion-joformë-formë. Shkrimi « i vështirë » synon t’ja
bëjë vetësigurinë të zorshme gjuhës, e jo të jetë enkas i vështirë për lexuesin. Natyrisht,
lexuesi medikoër në botë nuk do vdesë kurrë, sa « nuk vdes as shampanja », si e thotë
Migjeni.
Me çfarë do ishit marrë po të mos ishit shkrimtar?
-Me politikë, natyrisht.
Ju njiheni dhe si përkthyes, sa mendoni se rinia e sodit konsumojnë përkthime të mira ?
-Kështu nga larg, nuk është e udhës të jap opinone sipërfaqësore. Kam gjithsesi
përshtypjen, se, lexuesi rinor shqiptar, po përjeton çuditshëm dukurinë e të bërit lehtas
global, imperial, duke harruar gjuhën e vet. Më duket se e ardhmja e gjuhës së lëvruar
shqipe, pra në art e letërsi, po vihet çdo ditë e më shumë në dyshim. Gjuha shqipe po
përçohet tani nga subjekte vërtet të shkathtë, sa edhe servilë. Është kjo një formë
evazioni kombëtar. Çka ka bërë që shumë përkthime të vijnë nga persona, që janë si të
fejuar me gjuhët e huaja, por janë në situatë divorci me gjuhën amëtare.
Çfarë rëndësie ka teatri në veprën tuaj ?
-Ka shumë rëndësi. Situata prej skene teatri : pse duket shkruar një ngjarje që zhvillohet
fiks të këtë vend ? e se pse personazhi duhet të jetë fiks këtu ? ka rëndësi për
pikënisjen e një teksti. Romani im, « Armiku i popullit pa emër », më duket shembull
tipik. Pa këtë preçizion, ecuria është e voktë, e kotë.
Mendoni se për shkrimtarët është më i rëndësishëm talenti apo puna, në mos të dyja ?
-Shumë janë të mendimit se të dyja bashkë. Si përherë, duhet bërë dhe kujdes : talenti
shumë i madh e puna titanike, mund të çojnë në katastrofa personale, si rasti i
Nietzsche-s e i Joyce-it. Një kryevepër e dalë prej një talenti ekstrem e tërësisht përtac
do të ishte ideale. Por idealet e tregut kanë kohë që s’e mundësojnë diçka të tillë.
Intervistoi për TemA: Adri Kalaja