Në Ditën Botërore të Sindromës Down, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu së bashku me nxënësit e shkollës “Musine Kokalari”, zhvilloi një vizitë në Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët.
Ministrja ndoqi nga afër një prej seancave terapeuitike ku fëmijët marrin pjesë çdo ditë me përkujdesjen dhe përkushtimin e logopedëve, fizioterapistëve, psikologëve dhe stafit mjekësor të kësaj qendre.
Mamaja e Arturit i cili ndjek prej 12 vitesh terapinë në këtë qendër falë së cilës ka arritur një përmirësim të dukshëm u shpreh se Sindroma Down mund të quhet sindroma e dashurisë, jo vetëm për djalin e saj, por për të gjithë fëmijët me këtë aftësi ndryshe.
Koçiu theksoi se MSHMS mbetet e angazhuar për të rritur dhe forcuar më tej shërbimet për fëmijët me aftësi të kufizuar në çdo bashki të vendit ku falë Fondit Social në 5 vitet e fundit deri tani janë ngritur 20 qendra rehabilituese.
Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Tiranë, ofron shërbime diagnostikuese, trajtuese dhe rehablituese në nivel kombëtar, me shtretër dhe ambulator, për fëmijët e moshës 0-18 vjeç me probleme të neurozhvillimit si Autizmi, Sindroma Doën, Paraliza Cerebrale, etj.