Kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja dha detaje lidhur me festimet që pritet të mbahen sot dhe nesër në “kryeqytetin” e Ditës së Verës. Llatja tha se festimet do të fillojnë që në orën 09:0 të mëngjesit me akvitete sportive dhe kulturore që do të kulmojnë me koncertin në darkë ku do të jenë të ftuar këngëtarët më në zë të momentit.
“Festimet zyrtare janë nisur që me datë 4 mars për t’i mbyllur nesër gjatë darkës. Nesër aktivitetet fillojnë që në orën 09:00, kryesisht janë aktivitete për fëmijë, aktivitete sportive, kulturore por edhe panairet. Ndërkohë që në sheshin kryesor të qytetit do të kemi edhe sot edhe nesër artistët më në zë të kohës për gjithë miqtë të ardhur nga gjithë trevat shqiptare”- u shpreh Llatja.
Më tej kryebashkiaku u shpreh se shkak për zgjatjen 10 ditore për festën e ‘Ditës së Verës’ u bë cikli i shtuar ekonomik i vënë re vitin e kaluar.
“Pse 10 ditë festime? Sepse dita e verës në Elbasan ka një cikël të shtuar ekonomik. Këtë vit e kemi zgjatur për të vitalizuar ekonominë”- tha kryebashkiaku duke shtuar “Do u rekomandoja të gjithëve të prenotonin paraprakisht si hotelet edhe restorantet pasi ka një fluks të shtuar. Do t’i ftoja të gjithë të vijnë në Elbasan, janë të ftuar këngëtarët më të mirë”. Sa i takon pyetjes nëse do të jetë i pranishëm kryeministri, Llatja tha se Rama ka pasur një tjetër agjendë. Ndërkohë më herët, policia njoftoi për akset rrugore që pritet të bllokohen gjatë ditës së nesërme.