Kryeministri Edi Rama njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot se PS nuk është vetëm për të marrë më shumë vota se të tjerët, por edhe për të marrë më tepër përgjegjësi.

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së në Durrës, Rama kërkoi që “të mos humbasë në asnjë rast nga vëmendja fakti se ndërkohë që PS sot është oferta më e mirë, përmirësimi i vazhdueshëm i ofertës sonë për vendin dhe njerëzit duhet të jetë ambicia jonë”.

“Pavarësisht nivelit të ulët të ofertave të tjera konkurruese në hapësirën politike, ne nuk jemi në këtë hapësirë thjesht për të marrë më shumë vota se të tjerët, por për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi për Shqipërinë dhe më shumë zgjidhje për shqiptarët”, tha ai.

Ndaj, Rama theksoi se “na duhet në çdo hap një PS më e fortë, më gjithëpërfshirëse dhe më përfaqësuese, më e moshuar me eksperiencë dhe më e rinuar me gjak të ri”.