I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur katastrofik dhe jokompetent vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që përcakton euron si valutën për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Ai i ka bërë këto deklarata në Bruksel gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ketë parasysh shqetësimet e komunitetit serb dhe mekanizmit ndërkombëtar për trajtimin e minoriteteve brenda Kosovës”, tha ai.

Ai ka rikujtuar se Francës i është dashur gati një vit për të adoptuar euron, përderisa, në veri të Kosovës kanë dashur të zbatojnë vendimin brenda 3 javëve. Escobar e ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për efektin që ka te komuniteti serb.

Qysh prej 10 marsit e deri më 18 mars, Escobar do të realizojë një mori takimesh në Belgjikë, Kosovë, Austri dhe Mal të Zi. Escobar pritet t’i nisë takimet në Prishtinë më 13 mars. I pyetur pse nuk po e viziton edhe Maqedoninë e Veriut, ai ka thënë se situata në Kosovë është e tmerrshme, prandaj më duhet ta vizitoj Kosovën.

Marrë nga REL