Sot të gjithë besimtarët bektashinj festojnë ditën e Sulltan Nevruzit, e cila konsiderohet si një ditë që çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa dhe të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Kryeministri Rama e ka uruar këtë ditë me disa pamje përrallore nga mali Sevaster në Selenicë.
“Mirëmëngjesi dhe nga Kurora e Malit Sevaster në Selenicë, ju uroj gëzuar festën e Sulltan Nevruzit”, shkruan Rama.
Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Diktatura komuniste në Shqipëri, e prirur drejt ateizmit, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian.
Në Shqipëri Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas sunitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.