Ministrja për Marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali që në nisje të fjalës së saj në Kuvend përgëzoi deputetët e opozitës, të cilët lanë protestat dhe iu bashkuan punimeve në kushte normale. Ajo tha se flamuri i radikalizmit është ai i disfatës.

“Është mirë t’i shohësh të gjithë deputetët në vendin e tyre, ose në këmbë duke folur. Kjo është detyra e deputetit, që të japë opsione. Ne jemi konkurrentë politikë, por nuk jemi armiq. Dhe nuk e luftojmë njëri-tjetrin me çdo mjet. Për çdo forcë politike është e qartë se me flamurin e radikalizmit nuk fiton, por është flamur disfate. Është mirë që të biesh dakord dhe me atë që ke përballë. Nuk kishim pse t’i mundonim ambasadorët që të vijnë në seancë dhe se si pajtohemi me njërit-tjetrin. I përgëzoj të gjithë deputetët që mbërritën në këtë konkluzion. Sa i takon atyre që ngrihen dhe thonë se marrëveshja e 2008 është e politikës së vjetër, janë ata që kanë ngritur lartë këtë flamur. Nuk mund të vish pas 18 vitesh dhe të kujtohesh këtu që nuk je pjesë e këtij sistemi. Nuk mund të akuzohesh se duam të bëjmë një reformë me kokën tonë. Për listat e hapura, dhe emigrantët kemi ende kohë që të diskutojmë. Debatet që keni me njëri-tjetrin mbajini aty. Ne do të diskutojmë çështjen e ligjeve për Zgjedhoren dhe për integrimin. Sa i takon dhunës, unë besoj se deputetët që kanë dhunuar dhe kolegë deputetë në komisione, madje dhe gra, nuk mund të flasin fare për këtë gjë.”, tha Spiropali.