Seanca plenare e ditës së sotme në Kuvend ka zgjatur 33 minuta. Zonjat deputete morën buqeta me lule sot në seancën plenare, me rastin e 8 marsit, Ditës së Gruas, ndërsa seanca u shoqërua sërish me përplasje e zhurmues nga opozita.

Gjatë seancës ligjet u miratuan vetëm me votat e mazhorancës gjë e cila solli reagime nga deputët e opozitës. Teksa nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj po drejtonte votimin e çështjeve në rend të ditës, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e ka akuzuar atë se po kryen shkelje pasi në sallë nuk ka kuorum të mjaftueshëm.

Deputetët e opozitës gjatë seancës bllokuan foltoren dhe ndezën zhurmuese. Deputeti i opozitës, Petrit Doda gjithashtu është përplasur me Gardën ndërsa nuk ka lejuar ministren Elisa Spiropali që të flasë. Kujtojmë se deputetët demokratë Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Saimir Korreshi nuk do marrin pjesë në seancë pasi janë të përjashtuar. Po ashtu, i përjashtuar vijon të jetë edhe deputeti Edi Paloka, i cili ka dënimin më të rëndë pasi dogji rregulloren e Kuvendit.