Nga Ardit Rada

Gazment Bardhi e ka nisur ditën dje me akuza, që në mbrëmje po vetë pranoi se nuk ishin të reja. Bëhet fjalë për pretendimet se vëllai i kryeministrit është i lidhur me dosjen e laboratorit të Xibrakës. Faktet? Vetë Bardhi tha se ka tre elementë bindës: është fotografuar një person me flokë të shkurtra, 45 vjeç me një makinë. Sipas tij, të tre këto kritere Olsi Rama i plotësonte para 10 vitesh edhe pse askush s’ka arritur ta identifikojë. As Policia jonë, as Prokuroria e Adriatik Llallës, as autoritetet gjermane që merrnin pjesë në operacion. Sa qesharaka, po aq edhe e dhimbshme kur vetë Bardhi zbuloi edhe një ‘pakt’.

Ai tha se i kishte këto “fakte” prej pesë muajsh, por po priste që ta ftonin në ‘Opinion’ sepse ia kishte premtuar moderatorit që veç tek ai do t’i publikonte. Pra nëse do të ishte një akuzë e kopsitur që do t’i shërbente drejtësisë, kjo e fundit duhet të priste sa t’i vinte radha Bardhit për ta ftuar në emision. Fat i madh për shoqërinë që kemi të bëjmë me një stisje politike që duket se është ngritur më tepër për të forcuar pozitat e akuzuesit brenda Rithemelimit, sesa për të njollosur kundërshtarin. Akuzë si në filmat e soc-realizmit: I hollë, i gjatë dhe me pak kurriz të dalë…

Tani, meqenëse Bardhi e ka ndarë mendjen dhe i kërkon SPAK të bëjë drejtësi, më poshtë ka edhe disa nga akuzat mes tij dhe Flamur Nokës, apo mes tij dhe Sali Berishës. Shkon që shkon tek prokuroria e posaçme, t’i dorëzojë dhe këto për t’u hetuar:

“U bëre deputet mbi gjakun e një njeriu”, sherri Noka-Bardhi në Kuvend
Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka debutuar në Kuvend me demokratin tjetër, deputetin e Rithemelimit Flamur Noka.
Bardhi deklaroi se ish kryeministri Sali Berisha i ka dërguar mesazh demokratëve të votojnë kundër Komisionit për Investimet Strategjike duke mbrojtur interesat e Ramës.

“Merri leje Doktorit dhe dil sqaro demokratët pse jen bashkuar me socialistët për të bllokuar komisionin pr investimet strategjike.

Pse ka nisur Berisha mesazh te deputetët e tij që të votojnë kundër komisionit. Sa i takon elektoratit unë nuk kam ardhur ndonjëherë në zyrën tënde. Ti ke ardhur në zyrën time dhe ke thënë mos më ço në Kukës se më djeg anëtarësia”, tha Bardhi.

Në këtë çast Noka tentoi të replikojë por u ndërpre nga drejtuesja e seancës Ermonela Felaj.

“Replikë mbi replikën nuk ka. Problemet që keni mes jush zgjidhini te partia juaj”, u shpreh ajo.

Noka akuzoi disa nga deputetët e PD se po bashkëpunojnë me mazhorancën.

Noka: Unë e di që ju funksiononi këtu me disa marioneta, por jo me ne. Sepse ne shumë shpejt do të dalim në rrugë dhe do ju rrëzojmë.

Bardhi: Dil dhe merr leje te doktori dhe sqaro demokratët se përse Berisha u ka dërguar mesazh që bashkë me socialistët të bllokojnë komisionin për investiimet.

Sa për elektoratin unë nuk kam ardhur asnjëherë në zyrën tuaj, por ti ke ardhur në zyrën time dhe ke thënë mos më ço në Kukës.

Noka: I vetmi që u bë deputet mbi gjakun e një njeriu, nuk ka pasur më parë ky Parlament.

Çfarë lidhje ka Enki, Gazi dhe Jorka me reformën territoriale?

Asnjë lidhje s’kanë. Ata nuk dalin dot nga shtëpia. Gazi e ka tmerr Elbasanin se i bie të fikët. Këtu ka shërbëtorë dhe fake opozitë.

Debati për oligarkët, Bardhi akuza Nokës: Vila në Lalëz është e jotja! Ke mik trafikant droge

Vila 760 mijë euro në Gjirin e Lalëzit është në pronësi të deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Kështu pretendon përmes një reagimi, deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, i cili ishte ai që hapi këtë çështje, që u kthye në temë debati për muaj me radhë. Kjo deklaratë, u dha si kundërpërgjigje e akuzës së Nokës.

Bardhi, bën të ditur se Noka fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lalzit. Duke iu përgjigjur akuzës së ai gjobit oligarkë, Bardhi pyet Nokën se cilin prej tyre ka gjobitur, duke përmendur se Noka ka një mik që rezulton të jetë një trafikant droge. Për këtë person, Bardhi thotë se në kohën kur Noka ishte ministër i Brendshëm, lejoi trafikimin e drogës drejt Britanisë së Madhe, e me ato para që përfitonte, i pastronte me pasuri të paluajtshme.

“Kujt i paskam vendosur gjobë unë, mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i Brendshëm mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajshme? Meqë rri shpesh për dreka e darka, Flamur Noka mund ta pyesë vetë edhe atë”- shkruante Bardhi.

Më tej, deputeti demokrat, thotë në reagim se ky person i cili rezulton të jetë trafikant droge, ka marrë në qafë kryetarin aktual të Partisë Demokratike, Sali Berishën, duke e cilësuar si person që ka lidhje me përfaqësues të krimit. Bardhi shton se ky person, bashkëpunonte me Qeverinë, Nokën dhe Berishën.

Bardhi mohon akuzat se ka lidhje me oligarkë dhe me kriminelë, duke sqaruar se nuk ka as vila të fshehura, as para të investuara në bizneset e oligarkëve, as licenca për ndërtim hidrocentralesh dhe as është peng i asnjë financuesi apo krimineli.

‘O babi i Zenit, je përgjegjës për 26 të vrarë në Gërdec’, akuzat e Bardhit për Berishën