Mirëpriten idetë për të dhënë kontributin artistik për krijimin e Logos në këtë përvjetor të rëndësishëm të Shqipërisë

Në nëntor të këtij viti, Shqipëria kremton 80 vjetorin e çlirimit, një ngjarje e shënuar për mbarë vendin, njëkohësisht ditë kujtese e sakrificës sublime të mijëra të rinjve e të rejave që ranë heroikisht në emër të lirisë.

Me këtë rast, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit fton të rinjtë, qyetatrët shqiptarë që kanë ide krijuese të japin kontributin e tyre artistik në krijimin e logos kombëtare, e cila do të jetë simbolikë përfaqësuese dhe do të shoqërojë evenimentet zyrtare dhe shkresat protokollare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, si pjesë identifikuese e festimeve.
Logoja duhet të jetë pasqyrimi i një konfiguracioni simbolik, si një krijim origjinal në përmbajtje dhe në formë.

Ky kontribut artistik do të mundësohet përmes një konkursi që do të zhvillohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit së Republikës së Shqipërisë, ku mund të marrin pjesë studentë, artistë dhe krijues në fushën e arteve pamore, me punime origjinale, të papublikuara më parë, të cilat mund të jenë punime individuale ose punime të realizuara në grup.
Punimi i Logos, së 80-Vjetorit te Çlirimit, duhet të jetë shprehje artistike figurative, ose grafike.

Për të aplikuar, të interesuarit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentacionin tek zyra e Protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe elektronikisht në adresën [email protected] deri në datën 22.03.2024, e cila është edhe data e fundit e aplikimeve.

Vlerësimi artistik i Çmimit Fitues është 300.000 (treqind mijë) lekë, ku përfshihet dhe taksa e aplikueshme sipas legjislacionit në fuqi.