Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përgëzuar Shqipërinë për hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë. Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj shton se anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta shtonte sigurinë në rajon, ndërsa shprehu “indinjatë të thellë” ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas tij, turpëroi shtetin duke devijuar nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s.
“Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, që është hapur sot, është bazë e sigurisë rajonale të Ballkanit. Sa më afër NATO-s, jemi më të lirë e më të sigurtë, por anëtarësimi i plotë i Kosovës në këtë Aleancë, sigurinë do ta bënte më të plotë.
E përgëzoj Shqipërinë për rreshtimin e saj të natyrshëm në këtë Aleancë, por nuk mund të mos shpreh indinjatën time të thellë për qeverinë e Albin Kurtit, e cila po e turpëron Kosovën duke dalur nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s”, shkruan Haradinaj.