Nga Ardit Rada

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka folur sot për një sërë çështjesh duke përjashtuar nga ligjërata e tij pikërisht atë që sot bënte 16 vite: masakra shtetërore në Gërdec me 26 viktima. Teksa SPAK ndodhet përballë një beteje me ish-ministrin Fatmir Mediu, ku ky i fundit nuk pranon të pyetet para 72 dëshmitarëve, Dumani ka zgjedhur të heshtë pa sqaruar diçka më tepër për strategjinë e prokurorisë para kësaj situate.

Në këtë 16 vjetor, gjykimi për Gërdecin ka përfunduar në një nivel qesharak, pavarësisht statusit të Mediut si i pandehur. SPAK dhe avokatët e ish-ministrit po grinden se si do të pyeten dëshmitarët amerikanë, me Skype apo me letër-porosi. Ndërsa heshtja e sotme konfirmon bezdisjen që ka organi i akuzës për këto tema ‘të vjetra’ njësoj si me 21 Janarin para pak ditësh në Gjykatën e Lartë ku SPAK u urdhërua që ta hetojë rolin e Sali Berishës e Lulzim Bashës, edhe pse s’e kishte me qejf.

Po sot, teksa familjarët e 26 viktimave kanë marshuar drejt vendit të masakrës për t’i përkujtuar ata, i vetmi zë nga politika që i është bashkuar dhimbjes ka qenë deputeti Erion Braçe. Përmes një statusi në rrjetet sociale ai ka guxuar të kërkojë atë që i mungon prej 16 vitesh Gërdecit: Vendosjen para drejtësisë të autorëve realë të atij projekti vdekjeprurës.

Ndërkohë po sot, është sa ironike po aq edhe dhimbshme të shihje sesi mazhoranca dhe Rithemelimi u ulën në një tryezë për të arritur “marrëveshje’ sesi të qetësohet arkitekti i Gërdecit që e kanë mbyllur në shtëpi për një aferë ‘limonatë’ në krahasim me çfarë i ka bërë këtij vendi. Edhe pse ajo aferë mjafton për ta tronditur Sali Berishën, qëllimi final nuk duhet të jetë ky. Kjo është pjesa me interes politik, por nuk vendos drejtësi për krimet e kryera nën qeverisjet e tij.

Lulzim Basha që po mundohet të qëndrojë mbi ujë ca për shkak të numrave në rënie në Kuvend, e ca për shkak të “paqes” PS-Rithemelim, është një tjetër personazh që mund ta ndihmojë drejtësinë. Basha gjysmën e punës e bëri kur pranoi publikisht se në 21 Janar vrasjet ishin si pasojë e urdhrave të Berishës. Një ndihmë të madhe ai mund ta jepte edhe për Gërdecin, si për të rritur kredon e tij politike, ashtu edhe për të shfaqur atë që shumica duartroket më shumë: Pendesën e ish-bashkëpuëntorëve të Sali Berishës. Por fatkeqësisht, edhe nga PD Zyrtare, heshtje!

Familjarët e viktimave edhe këtë 15 mars nuk numëronin asgjë veç jetimëve që kishin lënë pas disa prej viktimave të babëzisë së qeverisë ‘Berisha’ për të shitur edhe gëzhojat boshe. Njësoj si ata të 21 Janarit, familjet e Gërdecit kërkojnë përgjegjësin që i përbuzi para dhe pas vrasjeve: Një herë sikur nuk njihte baxhanakun. Herën tjetër sikur ishin qytetarët kishin vrarë njëri-tjetrin me çadra pistoletë dhe thika me helmin e nëpërkave të Kurveleshit.