Nga Denis Dyrnjaja/

Të flasësh për te drejtat e njeriut, për demokracinë, për respektimin e lirive të çdo shtetasi qoftë ky edhe minoritar, përballë institucioneve qofshin këto administrative a gjyqësore, nuk ka asgjë të keqe, madje është e shëndetshme për shoqërinë e demokracinë. Çështja është se a jemi po kaq të zellshëm të ruajmë të njëjtin standard si për një shtetas shqiptar me kombësi greke në Shqipëri, edhe për një bashkombas shqiptar që i shkelen të drejtat në Greqi. Psh rasti i Fredi Bejlerit kandidatit të OMONIA-s që garoi për kryetar bashkie në Himarë, por që po përballet me ligjin për shitblerje votash në zgjedhje, ka shqetësuar më shumë se përfaqësuesit e opozitës që vijojnë të pretendojnë për një proces të montuar ligjor, një pjesë të opinionbërësve dhe analistëve të atashuar me interesat e opozitës.

Deri këtu asgjë e keqe, asnjë problem, zgjedhje e lirë e gjithkujt të mbrojë e pozicionohet ndaj kujtdo që dëshiron. Madje edhe me argumentet mbi procesin e pretenduar si të montuar dhe abuziv sërish asnjë problem, e drejtë e çdo kujt të mendojë, flasë, shqetësohet e të prononcohet ndaj asaj që mendon se është një padrejtësi ndaj dikujt qoftë ky edhe një njeri plot gjynahe ndaj Shqipërisë e shqiptarëve sikurse është zotëria në fjalë. Se sido qoftë s’mund të bëjmë sikur se dimë që Fredi Bejleri nuk ka qenë thjeshtë nga ata që vetëm kanë bërë e bëjnë llap llap për vorio epirin, por ka marrë armët e ka vrarë bashkë me bashibozukë të tjerë, ushtarë e oficerë shqiptarë 30 vite me parë në masakra e Peshkëpisë, kur në pushtet ishte pikërisht ky formacion politik që sot është krah e në mbrojtje te tij.

Por edhe ky paradoks nuk është prapë asgjë para një paradoksi edhe më të madh, ku jo përfaqësuesit politikë të opozitës, por ardhakeqët opinionbërës dhe analistë janë më të shqetësuar për Fredi Bejlerin, sesa për të drejtat e shqiptarëve që nëpërkëmben prej vitesh në Greqi. Djem shqiptarë torturohen e keqtrajtohen burgjeve greke si të ishin kafshë, jo njerëz por këta nuk bëzajnë. Nuk janë as nje as dy, por të shumta rastet kur familjarëve u thuhen gënjeshtra nga më të trashat e të papranueshmet për arsyet e humbjes së jetëve të djemve shqiptarë të keqtrajtuar në mënyrë shtazarake në burgje. Edhe zemrën ua kanë shkulur nga kraharori, por në Tiranë ata analistë që sot shqetësohen për të drejtat e Fredi Bejlerit nuk pipëtinin.

Njëlloj sikurse nuk pipëtijnë fansat mediatikë të Fredi Bejlerit as për Çamërinë, sepse ndoshta kanë hallin mos i shpallin nom grata kur të vizitojnë për pushime Greqinë. Fjalët iu shuhen e goja iu mbyllet edhe kur vjen puna për të kërkuar heqjen e ligjit te luftës, që është një non sens politiko/juridik mes dy vendeve fqinje anëtarë në NATO. Dakord o dakord të kini merak e merakun mos e lini për hallin e Fredi Bejlerit dhe të drejtat e liritë e njeriut e demokracinë. Flisni pa ndalim kundër Edi Ramës e regjimit. Edhe ky prapë nuk është as qameti as fundi të bësh politikë kundër qeverisë e kryeministrit.

Por të bësh politikë edhe kundër dinjitetit kombëtar, kjo është më shumë se shumë. Thënë ndryshe nuk ka bythë ku të rrijë. Të gjithë këtyre që iu preu barku për Fredi Bejlerin ngjajnë aq fals, qesharakë e hipokrite kur i shqetëson më shumë liria e një sharlatani sesa diskriminimi, përçmimi, dhunimi, stigmatizimi a bullizimi i çdo shqiptari sa thua deri këtu arrin marrëzia dhe pafytyrësia?! Ky or tungjatjeta quhet maskarallëk, të të dhëmbë më shumë halli i një manipulatori, provokatori a shërbëtori nacionalist, sesa te drejtat e çdo bashkatdhetari i cili ndjehet më i dhunuar dhe i mosrespektuar nga bashkatdhetarët e tij sesa nga çdo ekstremist revanshist. Një komb që përçmon për interesa të vogla njerëzit dhe dinjitetin e tij, zor se mund të bëjë preokupi.