Arabia Saudite do të marrë pjesë për herë të parë në konkursin Miss Universe, duke e bërë atë një ngjarje historike për vendin islamik.
Ky është një hap tjetër për Arabinë Saudite, e cila ka hequr petkun e saj konservator nën Princin e Kurorës Mohammed bin Salman Al Saud.
Modelja 27-vjeçare, Rumy Alqahtani e bëri publik lajmin në postimin e saj në Instagram se ajo do të përfaqësojë mbretërinë në një nga konkurset më të njohura në botë.
Modelja shpërndau edhe disa foto të sajat, ku shihet e veshur me një fustan pa rripa. Bashkë me fotot ajo ka shkruar:
“Jam e nderuar të marr pjesë në konkursin Miss Universe 2024. Kjo është pjesëmarrja e parë e Arabisë Saudite në garën Miss Universe”.
Sipas Khaleej Times, Alqahtani nuk është e panjohur për publikun. Ajo i është bashkuar shumë konkurseve globale, ku më e fundit ishte Miss and Mrs Global Asian në Malajzi disa javë më parë.
Vitin e kaluar, Miss Nikaragua Sheynnis Palacios u kurorëzua Miss Universe 2023.
Për herë të parë, një garuese nga Nikaragua u shpall fituese e konkursit, ndërsa Antonia Porsild nga Tajlanda dhe Moraya Wilson nga Australia siguruan përkatësisht pozitën e dytë dhe të tretë.