Prokuroria e Durrësit do të bëjë eksperimente hetimore për të përcaktuar se cili nga fëmijët Hygerta apo Hysen Meta qëlloi me 4 plumba në drejtim të babit të tyre Pëllumb Meta.
Ky vendim, është marrë për shkak të dëshmive kontradiktore që kanë dhënë fëmijët gjatë hetimeve paraprake.
Policia Kriminale në Durrës është duke kryer eksperimente hetimore edhe në banesën e familjes Meta për të përcaktuar këndin e qitjes dhe mënyrën si kanë vepruar fëmijët.
Hygerta Meta do të dërgohet nga hetuesit në poligon, do t’i vihet përballë një pistoletë TT e njëjtë me atë që u përdor në vrasjen e Pëllumb Metës.
Ajo duhet të demostrojë para ekspertëve se është e aftë për të përdorur armën dhe më pas për të qëlluar.
Ndërkohë eksperimenti tjetër ka të bëjë me mënyrën si u hap gropa ku u gjet i varrosur kryefamiljari Meta dhe kohën që mund t’i duhet dikujt për të hapur një gropë të atyre përmasave.
Po ashtu Pëllumb Meta iu kishte thënë fëmijëve se do të shiste tokën që ndodhej në zonën industriale, por që atyre nuk do t’u jepte para.
Po të njëjtat burime bëjnë me dije se Blerina Meta e ka nxjerrë të njëjtën tokë në shitje, në mënyrë që të sigurojë të ardhura dhe të kujdeset për fëmijët që janë në burg.
Vajza e madhe e familjes në dëshminë që ka dhënë para hetuesve ka shpjguar se babai ishte autoritar duke mos përmendur në asnjë moment dhunën.
Ajo prej disa ditësh po jeton me nënën e saj tek shtëpia e gjyshërve, pasi është ndarë nga bashkëshorti me të cilin ishte e fejuar prej 3 vitesh. Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për Hysen, Hygerta dhe Amarildo Metën. Ky i fundit akuzohet vetëm për fshehje të kufomës. Ndërsa 25 vjeçari dhe 19 vjeçarja akuzohen edhe për “vrasje për shkak të mardhënieve familjare”.