Pas ndrjes nga jeta të mjeshtrit të madh të poezisë dhe tekstshkruesit Jorgo Papingji, të afërm, kolegë, miq e dashamirës janë mbledhur në hollin e Radio Televizionit Shqiptar, në ditën e dytë të homazheve në nder të tij. E pranishme ka qenë edhe vajza e tij Migena Papingji, e cila ka ardhur nga Norvegjia. Mungesa e babait, ndonëse u rrit mes motrave dhe njerëzve të dashur duket se i kishte shënjuar jetën e tij.
“I bleva një tufë me lule për 7 Marsin, mandej bëra një foto me atë dhe më tha: ‘Nuk dua lule unë dua njerëz’. Dhe siç e shikoni njerëzit ja ku kanë ardhur pafund sot për të. I pëlqenin vlerat, vlerat e njeriut. Jo ana materiale, asnjëherë. Madje ime më thoshte shpesh me humor:’Jorgo jeton me poezi’. Në periudhën që jetoi im atë degët e fakultetit nuk zgjidheshin me dëshirë e megjithatë ai aspekti i fizikës i dha mundësi atij që te edukonte një brez. Brenga e vetme ishte ndoshta që nuk kishte baba dhe ndaj ai bënte shumë për ne, më shumë se normalja”, thotë për ReportTv Migena Papingji, vajza e Jorgo Papingjit.
Të pranishëm kanë qenë edhe artisti Federik Ndoci dhe muzikanti Elton Deda.
‘Jorgo ka qenë ndër ata poet, që ka qenëmuzikant poet. Vargui tij është shumë ‘Dritëro’ . Nuk është filozofi e gjallë, por është e gjallë filozofi”, shprehet artisti Frederik Ndoci.
“Ai jeton! Është një bekim për artistët kjo gjë, që edhe kur ndahen fizikisht nga jeta ata bëhen të përjetshëm me veprën e tyre. Si të thuash ‘largohen me një këmbë’ sepse ‘një këmbë’ e kanë gjithmonë në memorien kolektive”, thotë muzikanti Elton Deda.
Tekstshkruesi i mijëra këngëve të dashura për shqiptarët në Festivalin e Këngës ishte shtruar prej disa ditësh te Trauma në gjendje të rënduar shëndetësore për të cilën ishin në dijeni vetëm të afërmit dhe familjarët e tij. Ikja e kompozitorit të mirënjohur është pritur me trishtim të thellë nga të gjithë artistët.
Jeta dhe veprat e Jorgo Papingjit
Kompozitori është një nga më të njohurit në vend falë perlave që i ka falur muzikës shqiptare. Ai lindi në Vlorë më 10 qershor të vitit 1942 dhe shumë herët, që në fillore nisi që të hidhte në fletore vargjet e para. Për herë të parë botoi në gazetën “Zëri i rinisë”, një cikël me poezi, por më pasi ishte bashkëpunimi i parë me kompozitorin e shquar Aleksandër Lala, shtysa që e ngriti drejt majës. Të dy publikuan këngën: A ta fshij apo ta gris?; ishte një këngë për fëmijë, që i dha emër dhe mundësi për të shkuar të tjera vargje që edhe sot e kësaj dite janë në mendjen e të gjithëve.
Jorgo Papingi mban titullin “Mjeshtri i Madh” dhe numëron mbi 4000 këngë të shkuara prej tij. Shumë prej krijimeve të tij janë interpretuar në Festivalin i Këngës në RTSH, ku duket se artisten e tij të preferuar ka pasur të ndjerën Anita Bitri, për të cilën ka kompozuar disa këngë. Por nuk mungojnë as bashkëpunimet me emra të tjerë si Ardit Gjebrea, Aurela Gaçe dhe Luan Zhegu. Madje, “Zemërimi i një natë”, e çoi atë për herë të parë në skenën e Eurovizionit, me interpretimin e këngëtares Hersiana Matmuja.