Imzot Angelo Massafra është në prag të mbylljes së misionit si arqipeshkëv metropolit i Arqipeshkvisë Shkodër-Pult. Bëhet me dije se Ati i Shenjtë, Papa Françesku ka pranuar dorëheqjen e paraqitur për shkak të limitit të moshës që imponon ky pozicion.

Ka qenë Nunci Apostolik në Shqipëri imzot Luigi Bonazzi, ai që ka njoftuar imzot Massafran për pranimin e dorëheqjes, me një shkresë që mban datën 22 shkurt 2024.

“Shkelqësi, Po Ju vë në dijeni se Ati i Shenjtë e ka pranuar dorëheqjen nga qeverisja baritore e Arqidioqezës së Shkodër- Pultit, të paraqitur nga Ju në përputhje me Kanunin 401/1 të Kodit të së Drejtës Kanonike, me formulën ‘nunc pro tunc’. Prandaj, Ju lutet që të vazhdoni ta udhëhiqni selinë e Shkodër- Pult derisa të emërohet Pasuesi Juaj.”

Imzot Angelo Massafra është shuguruar ipeshkëv nga Papa Gjon Pali i Dytë me 6 janar 1997 në Vatikan dhe ka shërbyer më shumë se 27 vite në Shqipëri. Arbëresh me origjinë, imzot Massafra tashmë është zyrtarisht edhe shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe deri disa javë më parë, ka qenë President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

Imzot Massafra ka festuar 75- vjetorin e lindjes ku ne Katedralen e Shkodrës u mbajt një koncert nga ” Nova Chamber Orchestra”.