Hyrja e shtetasve të huaj në vendin tonë gjatë muajit shkurt ka shënuar një rritje prej 55.4 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë sipas statistikave zyrtare të Institutit të Statistikave.
Në tërësi gjatë muajit shkurt sipas INSTAT kanë hyrë në territorin shqiptar mbi 980 mijë shtetas të huaj dhe shqiptarë. Ky tregues rezulton me një rritje 41,1 për qind krahasuar me shkurt 2023.
Ndërkohë që daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë shkurtit 2024 kanë shënuar një rritje me 44,7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT në shkurt 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 459.700 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 8.147 dhe 2.979 shtetas. Lidhur me arsyet gjatë shkurt 2024 kanë shënuar rritje hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime personale me 55,4%; për qëllime pushimesh, vizita tek të afërm etj. me 56,9%; për biznes dhe qëllime profesionale me 53,9%.
Shifrat e rritjes nga muaji në muaj të hyrje-daljeve konfirmojnë edhe parashikimet e turoperatorëve dhe institucionet shtetërore.