Drejtori i agjencisë më të fuqishme ruse të sigurisë (FSB) deklaroi se ai besonte se Ukraina, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, ishin të përfshirë në sulmin terrorist në sallën e koncerteve në Moskë ku u vranë të paktën 139 njerëz.

Ukraina, e cila ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo lidhje me sulmin terrorist, i hodhi poshtë akuzat ruse si gënjeshtra. Shteti Islamik (ISIS-K), degë e grupit militant ISIS që dikur mori kontroll territorial mbi disa zona të Irakut dhe Sirisë, mori përgjegjësinë për të shtënat masive. Por siç duket rusët nuk e besojnë plotësisht këtë.

“Ne besojmë se aksioni u përgatit nga vetë radikalët islamikë dhe u lehtësua nga shërbimet speciale perëndimore,” tha në televizion Alexander Bortnikov, drejtor i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).

“Shërbimet speciale të Ukrainës janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë (sulm),” tha Bortnikov. Shefi i FSB-së ruse shtoi se Kievi kishte ndihmuar në përgatitjen e radikalëve islamikë në një vendndodhje të paidentifikuar në Lindjen e Mesme.

Kur u pyet nga gazetarët rusë nëse Ukraina dhe aleatët e saj, Shtetet e Bashkuara dhe Britania, ishin të përfshirë në sulmin në sallën e koncerteve, Bortnikov pohoi.

“Ne mendojmë se kështu ka ndodhur. Në çdo rast, ne tani po flasim me informacionet që kemi. Ky është informacion i përgjithshëm.” – tha në mënyrë të paqartë Bortnikov.

Bortnikov, 72 vjeç, i cili ka shërbyer si kreu i FSB-së që nga viti 2008, tha se Rusia ende nuk i kishte identifikuar ata që urdhëruan në mënyrë specifike sulmin më vdekjeprurës brenda Rusisë të dy dekadave të fundit, por tha se do të merrej hak.

Bortnikov nuk ofroi prova specifike për pretendimin. Grupet e interesit radikale në Moskë mund ta përdorin këtë pretendim për të justifikuar një përshkallëzim të luftës në Ukrainë dhe për të shpjeguar se si shërbimet ruse të sigurisë nuk arritën të parandalonin sulmin.

Lapsi.al përgatiti të dielën një artikull që shpjegon në detaje se si Presidenti Vladimir Putin mund ta përdorë këtë sulm pikërisht për të rritur mobilizimin për një sulm më të ashpër në Ukrainë.

Që kur presidenti Vladimir Putin dërgoi ushtrinë në Ukrainë në vitin 2022, Kremlini e ka quajtur Perëndimin, dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, si armiq, vendimi i të cilëve për të mbështetur Ukrainën në thelb i pozicionon këto dy shtete si palë në luftë me Rusinë.

Fajësimi i Ukrainës, linja e qartë e pushtetit rus

Gazeta ruse SHOT publikoi një video të një bisede në të cilin një gazetar pyeti Nikolai Patrushevin, sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, nëse ishte pas sulmit ishte ISIS (Shteti Islamik) apo Ukraina?

“Sigurisht Ukraina,” u përgjigj Patrushev, që është njeriu më i rëndësishëm i sigurisë në Rusi. I pyetur për deklaratën më vonë, ai tha se kishte “shumë” indikacione të përfshirjes së Ukrainës.

Ndihmësi i lartë i presidentit ukrainas Mykhailo Podolyak hodhi poshtë pretendimet ruse si gënjeshtra.

“Gënjeshtrat janë përhapur zyrtarisht nga Patrushev, dhe më pas nga kreu i FSB Bortnikov,” tha Podolyak.

Në një koment për ngjarjen, Reuters i cilëson deklaratat e Patrushev dhe Bortnikov si një pasqyrë të të menduarit të elitës së Kremlinit. FSB-ja ruse është pasardhësja kryesore e KGB-së së epokës sovjetike dhe është një nga institucionet më të fuqishme të Rusisë.

Ndërsa SHBA-të pretendojnë se kanë inteligjencën që konfirmon marrjen e përgjegjësisë nga ISIS për sulmin terrorist, Bortnikov deklaroi se nuk kishte informacion shumë konkret për inteligjencën amerikane.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Adrienne Uatson, tha se Uashingtoni në fillim të këtij muaji ndau inteligjencën me Rusinë rreth një sulmi të planifikuar në Moskë.

Presidenti Putin foli për ngjarjen i bindur se radikalët islamistë ishin përgjegjës për ekzekutimet. Por tha se Rusia kërkon të dijë se kush ishte porositësi, duke lënë të kuptohej se dora pas sulmit të tmerrshëm ishte Ukraina.

“Ne e dimë se krimi është kryer nga dora e islamistëve radikalë me një ideologji që bota myslimane e ka luftuar me shekuj. Ne duam të dimë se kush e ka porositur atë” – u shpreh autokrati rus.