Pas javës së gjelbër ku pretendohet të kenë qënë në terren, në takime me zgjedhësit e tyre, deputetët i pret një axhendë e ngjeshur parlamentare me plot çështje të mbetura pezull, një ndër të cilat votimi i amnistisë penale. Nevoja për 84 vota ka bërë që prej disa javësh ky projektligj të mbetet peng i konsesusit politik mes palëve, që tashmë duket se nuk është larg, në pritje të marrë dritën jeshile këtë të enjte.
Ndonëse asnjë prej palëve nuk e ka pranuar publikisht arritjen e një dakordësie përfundimtare, me rikthimin e rithemelimit në parlament dhe tërheqjes së mazhorancës nga amendamenti që do të ultte dënimin për ish-zyrtarët e lartë, asgjë nuk e pengon votimin e këtij projektligji. Kthimi i kuvendit në normalitet i kushtoi mazhorancës ngritjen e 2 hetimore, atë për kontratat në shëndetësi dhe për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi tims. Komisioni që heton ‘Sterilizimin” dhe “Check up” do të zhvillojë të martën e 2 prillit mbledhjen e dytë përë dakordësuar ekspertët që do të ndihmojnë hetimin parlamemtar, ndërsa takimi i parë nuk shkoi edhe aq qetë sa pritej.
Ndërsa komisioni hetimor për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS, i cili do të drejtohet nga , deputeti demokrat Ervin Salianji pritet të nisë punën këtë javë, fillimisht me konstituimin e komisionit dhe miratimin e një plani të qartë pune. Mbrojtjen në këtë komision, socialistët ja kanë besuar Toni Gogut.
Nga sirtaret e kuvendit do të dalë edhe kërkesa më e fundit e mazhorancës për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjen e vendev të huaja në proceset demokratike në Shqipëri.
Socialistët, përmes një kërkese të depozituar nga grupi parlamentar, kërkojnë që përmes këtij komisioni të adresohen disa fenomene shqetësuese si fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale për të ndikuar në opinionin publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për përpjekjet për dezinformim, shantazhimin ekonomik të aktorëve publikë dhe manipulimin e shoqërisë civile.
Kërkesa e tyre do të kalojë fillimisht në të gjitha hallkat parlamentare për ngritjen e këtij komisioni, përbërjen e anëtarëve apo edhe objektin e qartë të veprimtarisë, që priten të diskutohen në konferencën e kryetarëve të mërkurën e 3 prillit. Konfereca e kryetarëve, pritet të vendosë edhe për kalimin sërish në parlament të 5 projekt-ligjeve të anulluara nga sekretariati për Procedurat dhe Votimin për shkak të votimit pa kuorum në seancën plenare të 7 marsit.
Në mbledhjen e mbajtur të premten, sekretariati me 4 vota pro, miratoi kërkesën e rithemelimit për anulimin e votimit të këtyre ligjeve, mes të cilave edhe ligji për investimet strategjike, dhe kalimin sërish për miratim në një prej seancave të ardhshme.