Kina ka sulmuar një përpjekje të SHBA për të ndaluar platformën e njohur të mediave sociale TikTok në territorin e vendit. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin, një hap i tillë do të shkelte rregullat e tregtisë ndërkombëtare.

Komentet e tij erdhën pasi Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA miratoi një projekt-ligj që përshkruan TikTok si një “kërcënim të sigurisë kombëtare” dhe do të detyronte kompaninë kineze të platformës, ByteDance, ta shesë atë brenda gjashtë muajve ose të përballet me një ndalim mbarëkombëtar.

“Ligji bie ndesh me parimet e konkurrencës së ndershme dhe rregullat ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare,” tha Wang në një konferencë shtypi në Pekin. Ai shtoi se “nëse të ashtuquajturat arsye të sigurisë kombëtare mund të përdoren për të shtypur në mënyrë arbitrare kompanitë e shkëlqyera nga vendet e tjera, atëherë nuk ka fare drejtësi”.

“Kur dikush sheh një gjë të mirë që ka një person tjetër dhe përpiqet ta marrë për vete, kjo është tërësisht logjika e një banditi”, theksoi Wang.