Antoni Konte ka mbetur emri më serioz për të marrë ekipin e Bajernit, pasi pistat e Ksabi Alonsos dhe Zinedin Zidan kanë rënë. Megjithatë, edhe opsioni në fjalë ka kleçkë.

Sipas raportimeve nga prestigjiozja gjermane “Bild” thuhet se trajneri italian ka komunikuar me shefat e bavarezëve, duke qartësuar se ai nuk e merr drejtimin e kampionëve të Bundesligës pa firmosur me goleadorin e Shtutgartit, Serhu Guirasi.

Është aluduar më herët se bordi i Bajernit e ka në vëzhgim “pykën” nga Guinea. Finalizimet e panumërta e ngjisnin në listën e shënuesve më të mirë në Europë, ndërsa rreshtohet i dytë në Bundesligë pas Herri Kejn (22 gola dhe 1 asist). Shtutgarti është duke u përpjekur ta bindë bomberin të qëndrojë, ndërsa në treg kartoni i 28-vjeçarit kap shifrën e 40 mln euro.