Kuqezinjtë e Sylvinhos janë rikthyer në fushën e Shtëpisë së Futbollit për të kryer seancën e dytë stërvitore, në kuadër të përgatitjeve për dy miqësoret e muajit mars, atë ndaj Kilit më datën 22 në Parma të Italisë dhe ndaj Suedisë më datën 25 në Stokholm.
Grupi në dispozicion të trajnerit ishte i plotë, pasi u bashkuan edhe Qazim Laçi e Naser Aliji, të cilët mbërritën vetëm në orët e mbrëmjes së të hënës në Tiranë.
Edhe ngarkesa ka qenë e njëjtë për të gjithë dhe e plotë në këtë seancë, teksa Sylvinho ka pasur mundësinë të ndjekë nga afër 26 futbollistët e grumbulluar, për të krijuar një ide më të plotë për formën e tyre para dy miqësoreve.
Kuqezinjtë do të kryejnë edhe një seancë stërvitore të mërkurën në kryeqytet, për të fluturuar më pas drejt Italisë, ku do të qëndrojnë deri pas ndeshjes me Kilin, e cila do të startojë në orën 20:45 të së premtes në stadiumin “Ennio Tardini”.
Për këtë grumbullim Sylvinho ka grumbulluar për herë të parë Arbër Hoxhën, i cili nuk ka luajtur asnjë ndeshje me fanellën kuqezi. Gjithashtu për herë të parë nën urdhrat e Sylvinhos vijnë edhe Rey Manaj e Naser Aliji, teksa rikthehen të veshin fanellën kuqezi edhe Armando Broja e Marash Kumbulla, të cilët janë grumbulluar vetëm një herë në epokën Sylvinho, pasi kanë vuajtur dëmtime afatgjata.