“Të ardhurat për muajin shkurt 2024 janë realizuar në masën 24% ose 5.65 miliard lekë më shumë se Shkurt 2023” Vijon rritja rekord e të gjitha llojeve të të ardhurave edhe për vitin 2024, duke shënuar konsolidim të sistemit në realizimin e treguesve të tij dhe rezultate rekord në mbledhjen e të ardhurave gjatë 2 viteve të fundit.

Vlen të theksohet që rekordi në mbledhjen e të ardhurave gjatë 2 mujorit të parë të vitit 2024 është realizuar pavarësisht se kontrollet në terren janë ulur në nivel historik.

“Konkretisht, të ardhurat për muajin shkurt 2024 janë realizuar 24% ose 5.65 miliard lekë më shumë se Shkurt 2023. Krahasuar me Shkurt 2022 kemi rritje me 7.85 miliard lekë ose 37% më shumë. Ndërsa krahasuar me Shkurt 2021, kemi rritje me 9 miliard lekë ose 45% më shumë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në mediat sociale.
Administrata Tatimore sqaron se falë rezultatit të një pune të jashtëzakonshme, për 2 mujorin e parë të vitit 2024 të ardhurat u realizuan 21% ose 11.4 miliard më shumë se 2 mujori i vitit 2023.
“Krahasuar me 2 mujorin e vitit 2022, kemi rritje me 17 miliard lekë ose 35% më shumë. Ndërsa, krahasuar me 2 mujorin e vitit 2021, kemi rritje me 22.7 miliard lekë ose 52% më shumë”, njofton DPT në rrjetet sociale.