Javier Mascherano, trajneri i Argjentinës U-20 dhe përgjegjës për ekipin në Lojërat Olimpike, tha se ftesa për Lionel Messin për t’iu bashkuar grupit është bërë.
Çdo ekip mund të marrë tre persona mbi 23 vjeç dhe nëse Angel Di María tashmë është lënë jashtë, Leo Messi ka ende një ftesë për ngjarjen që do të zhvillohet në Paris midis 26 korrikut dhe 11 gushtit, me ‘Copa América’ që po mbahet këtë viti nga 20 qershor deri më 14 korrik, të cilën nuk do ta humbë, pasi mund të jetë e fundit dhe do të luhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku tashmë “Pleshti” është i përfshirë në MLS me Inter Miami.
“Nuk është qëllimi ynë ta shqetësojmë, apo t’i bëjmë presion. Ne e bëmë ftesën me kohë dhe i dhamë çdo gjë që i duhej për të menduar dhe parë opsionet në klub. Nuk është e lehtë për të, brenda Inter Miami dhe MLS, do të thotë të jetë larg për ca kohë. Kur të mundet, do të marrë një vendim”,- tha Mascherano në një intervistë për kanalin TycSports.
“Kam folur me Leon dhe ramë dakord të flasim sërish së shpejti. Ai sapo ka nisur sezonin në Inter Miami, ka ende shumë kohë deri në Lojërat, sidomos duke ditur që ka edhe Copa América. Nuk është një situatë e lehtë. Duhet të shohim nëse ka vërtet energji për të qenë aty”, ka shpjeguar më tej ai.
Gerardo Martino, trajneri i Inter Miamit, ka lënë së fundmi një vlerësim që mund t’i rrëzojë këto pritshmëri, pasi këtë vit klubi dëshiron të luftojë për titullin: “Duhet ta kuptojmë dhe Leo e di që edhe mosha ka filluar të llogaritet për të. Përveçse ka një nivel superlativ, ai duhet të menaxhojë qartë kohën e tij të lojës.”