Rei Manaj dhe Sokol Cikalleshi janë kthyer në protagonistë absolutë në këtë sezon në kampionatin turk të futbollit. Të dy po shënojnë me rregullsi të admirueshme për skuadrat përkatëse dhe padyshim, po kalojnë sezonin më të mirë të karrierës së tyre. Në fakt, të dy gjatë ditës së djeshme kanë vendosur rekorde në këtë aspekt.
Manaj ishte i pari i cili gjeti rrugën e rrjetës për Sivaspor me një goditje dënimi spektakolare. Ky gol e çoi në kuotën e 15 të tillëve të shënuar në kampionat. Kjo e bën sezonin aktual më të suksesshmin në karrierë në këtë drejtim për sulmuesin shqiptar, i cili maksimumin në një edicion e kishte regjistruar me Barcelonën B në 2020-2021, kur shënoi 12 gola në sezonin e rregullt e pastaj 2 të tjerë në play-off.
Më pas e kishte radhën Sokol Cikalleshi, i cili me dy golat që shënoi për Koniaspor, çoi në 11 bilancin e tij sezonal në kampionatin turk. Edhe në këtë rast, ky rezulton të jetë sezoni më i suksesshëm sa i përket shënimit të golave në një edicion për Cikalleshin në një kampionat të huaj.
Ai ishte ndalur në kuotën e 10 golave më parë me Split në Kroaci, Koniaspor në Turqi dhe Al Khalej në Arabinë Saudite. I vetmi sezon ku ai ka bërë më mirë në realizimin e golave në kampionat ishte ai 2013-2014, kur shënoi 17 gola me fanellën e Kukësit në Superiore.