Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi sot një takim me drejtorin Ekzekutiv të Transparency International në Berlin, Daniel Eriksson. Në takim Manja dhe Eriksson ndanë qëndrimin e përbashkët se fokusi i luftës kundër korrupsionit duhet të jetë parandalimi, dhe se transparenca në vendimmarrje dhe reformat strukturore në fushat me risk të lartë korrupsioni duhet të jenë radikale.
“Vullneti politik, lidershipi me bazë integritetin e zyrtarëve publikë, digjitalizimi i shërbimeve publike dhe përdorimi i IA në fushën e prokurimeve, janë rruga e duhur për të pasur një shoqëri imune ndaj korrupsionit dhe dëshmojnë qartësisht vizionin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të adresuar si duhet sfidat e luftës kundër korrupsionit”, theksoi Manja në një postim në rrjetet sociale.
Manja theksoi se, “Eriksson shtroi nevojën për të pasur sa më shumë burime dhe indekse për gjendjen e korrupsionit në Shqipëri, me qëllim që indeksi i TI të jetë sa më objektiv dhe t’i shërbejë institucioneve publike për të përmirësuar performancën dhe transparencën e veprimtarisë së tyre”.
Manja e garantoi Eriksson se, “raporti i tyre mbi perceptimin e korrupsionit në Shqipëri, përkthehet në dokument pune për çdo institucion në Shqipëri”.
Manja dhe Eriksson ranë dakord për të punuar ngushtësisht me TI, për të shkëmbyer përvojat e mira dhe për të marrë ekspertizën e duhur në luftën kundër korrupsionit.