PSG është e vendosur të sigurojë nënshkrimin e ndërkombëtarit anglez Marcus Rashford, për të kompensuar largimin e Kylian Mbappé, i cili tashmë ka njoftuar largimin e tij nga klubi parizian në fund të sezonit, raporton ‘The Mirror’.

Sipas gazetës angleze, kampionët e Francës janë duke përgatitur një ofertë prej rreth 88 milionë euro për të nënshkruar me sulmuesin e Manchester United.

Kjo është lëvizja e dytë e PSG-së për sulmuesin 26-vjeçar, i cili tashmë u përpoq të siguronte nënshkrimin e tij edhe në 2022, por lojtari vendosi të qëndrojë me “Djajtë e Kuq” dhe pati sezonin e tij më të mire, ndonjëherë me 30 gola në të gjitha garat.

Në sezonin aktual, Rashford nuk ka mundur të përsërisë performancën e sezonit të kaluar, duke shënuar vetëm 7 gola në 33 ndeshje, dhe ka pasur disa qëndrime problematike jashtë fushës, të cilat tashmë e kanë lënë jashtë opsioneve të trajnerit Erik Ten Hag.

Lojtari siguroi në një intervistë për ‘The Players Tribune’ se është i përkushtuar ndaj projektit të Manchester United, megjithatë PSG është e bindur se mund të përfitojë nga situata aktuale e futbollistit në klub.

Sipas të njëjtit burim, Manchester United do të ishte i gatshëm të negocionte vetëm një transferim të mundshëm të lojtarit për një vlerë prej 117 milionë eurosh. Kujtojmë që Marcus Rashford ka rinovuar kontratën me “Djajtë e Kuq” deri në vitin 2028.