Dani Alves u dënua para disa ditësh me katër vite e gjashtë muaj burg për përdhunimin e një vajze 23-vjeçare në një klub të Barcelonës në natën e 31 dhjetorit në vitin 2022.

Megjithatë, avokatja e brazilianit, Ines Guardiola, me të drejtën për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Barcelonës, këmbëngul se klienti i saj duhet liruar nga burgu ose minimalisht dënimi duhet t’i ulet deri në një vit e gjysmë për shkak se marrëdhënia me vajzën në fjalë ishte konsensuale dhe se asgjë nuk është bërë pa dëshirën e saj.

Avokatja e Dani Alves gjithashtu pretendon se 150.000 eurot që braziliani i ka paguar vajzës për shkak të dëmit moral dhe emocional, janë të mjaftueshme për të kërkuar falje. Në fundjavë, pritet që të bëhet një mbledhje me të gjithë palët e përfshira dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojë e ardhmja për ish-futbollistin brazilian.