Arrestohet një 39-vjeçar i cili akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion 5 vajza të huaja. Bëhet me dije se personi në fjalë quhet Ismet Zoto dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë arrest me burg.

Mësohet se Zoto ka qenë i përfshirë në një konflikt me një 23-vjeçare nga Barcelona, dhe kjo veprimtari e tij është zbuluar më datë 6 mars të këtij viti. Sipas informacioneve Zoto kishte marrë një banesë me qera në Durrës ku shfrytëzonte vajzat për prostitucion si dhe konsumonte lëndë narkotike në po atë banesë.

Njoftimi i Policisë:

Durrës Vijojnë hetimet e thelluara për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e implikuar në një rast prostitucioni, të goditur nga Policia, më datë 6 mars 2024. Vihet në pranga 39-vjeçari që u konfliktua me 23-vjeçaren nga Barcelona. Ai akuzohet se shfrytëzonte për prostitucion, këtë shtetase dhe 4 të tjera të huaja, në një banesë me qira, në lagjen nr. 2, ku gjithashtu konsumoheshin lëndë narkotike. Më herët, për rastin u proceduan penalisht 5 shtetaset e huaja.

Si rezultat i veprimeve hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të përcaktuar plotësisht autorësinë dhe rrethanat e mbajtjes së një banese në lagjen nr. 2, Durrës, për prostitucion dhe për konsumim të lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit I. Z., 39 vjeç, banues në Shijak.

Në lidhje me rastin, për këtë shtetas është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.