Mbërrin në Shqipëri i ekstraduari i parë nga Dubai, Policia: Finalizohet operacioni, Çobo pjesë e një grupi të strukturuar kriminal
NJOFTIMI I POLICISË
Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë operacionet e përbashkëta me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Marrëveshja e ekstradimit në proces, mes 2 vendeve, intensifikon bashkëpunimin për lokalizimin e shtetasve që i fshihen drejtësisë shqiptare, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve për këtë qëllim, është finalizuar operacioni policor i koduar “Zinxhiri”, për ekstradimin e thjeshtuar të një 28-vjeçari shqiptar të akuzuar nga SPAK-u, si pjesëtar i një grupi të strukturuar që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet një call center-i.
Grupi kriminal dyshohet se ka përfituar rreth 4 700 000 euro, nga skema e mashtrimit.
28-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është lokalizuar në Abu Dhabi, pas shkëmbimit të informacioneve mes Drejtorisë së Interpolit, Departamentit të Policisë Kriminale dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shtetasi B. C., 28 vjeç, ka bërë kërkesë për t’u kthyer me dëshirë dhe ditën e sotme është bërë deportimi i tij në Shqipëri.
Ky shtetas akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale ”Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, ”Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë bashkëpunimin intensiv me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që kanë kryer veprimtari kriminale në Shqipëri dhe qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’iu fshehur drejtësisë shqiptare.