Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës, drejtuesi Politik i Qarkut, Erion Veliaj, falenderoi strukturën e PS-së në kryeqytet për punën e mirë dhe realizimin me sukses të procesit të anëtarësimit të sa më shumë të rinjve të talentuar në familjen socialiste. Veliaj tha se pa përkushtimin e anëtarëve të vjetër të Partisë Socialiste, suksesi nuk do kishte qenë kaq i madh.
“Jam i gëzuar jo vetëm për anëtarësimet e reja dhe cilësinë e tyre, por edhe për faktin se sfida ka qenë e vështirë dhe kryetarët tanë, sidomos koleget vajza, arritën ta mbyllin sukses këtë detyrë, madje duke tejkaluar pritshmëritë. Prandaj, meritojnë gjithë respektin tonë”, tha Veliaj. Sipas tij, shumica e anëtarëve të rinj të bashkuar në Partinë Socialiste janë me energji të re dhe ide të reja.
“Sa herë mendoj për çështjen e anëtarësimeve të reja, mendoj se duhet të jetë edhe një anëtar i vjetër që e mundëson anëtarësimin e një të riu. Duhet të jetë edhe dikush që e mban portën hapur të tjerët. Ndaj, këtë mirënjohje speciale e kam për të gjithë socialistët e vjetër, ata që më mundësuan mua të futem dhe të ndihem si i shtëpisë, dhe ata që i mundësuan çdo djali dhe vajze të re që të futet në partinë tonë. Pa socialistët e vjetër ne nuk mund ta kishim këtë hapje. Pa mirëkuptimin e atyre që e kanë themeluar këtë parti, ne nuk do e kishim këtë anëtarësim të ri. Pa gatishmërinë e tyre, pa botëkuptimin e tyre, që është gjithmonë mirë për familjen të rritet, ne nuk e do e kishim këtë prurje të jashtëzakonshme në partinë tonë”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se anëtarësimet e reja është e rëndësishme të jenë njerëz me integritet dhe të gëzojnë respektin e komunitetin ku jetojnë e punojnë. “Nëse do të doja të kishim një busull, pavarësisht kritereve bazë për moshën, vendbanimin dhe vendin e votimit, për ata që do të na drejtojnë duhet të jetë edhe një kriter i pashkruar: të kenë integritet, të jenë të besueshëm, të kenë admirimin dhe respektin e komunitetit, dhe të sigurohemi që atë integritet ia veshin integritetit të PS. Epërsia numerike nuk diskutohet sepse ne sot jemi fitimtarë në këtë qark dhe nëse mbledhim edhe zgjedhjet e fundit, jemi mbi 50%. Do të thotë jemi më shumë se sa të gjithë të tjerët bashkë, por unë besoj se ne duhet të fitojmë çmimin e parë edhe në integritet dhe ashtu siç kemi numrat, të kemi edhe cilësinë e fitores sonë”, tha ai.
Veliaj ftoi të gjithë ata që e ndiejnë se mund t’i shërbejë vendit, të kandidojnë për kryetarët e organizatave të PS-së. Ai tha se përzgjedhja e tyre është e rëndësishme, në mënyrë që të komunikohen nevojat e komuniteteve dhe investimi të shkojë aty ku duhet. Sipas tij, këto zgjedhje janë një ushtrim për lidershipin e partisë, për anëtarët e asamblesë, që të shohin një zonë, përtej zonës së tyre, të japin një mendim më shumë, përtej atyre që japin në rutinën e tyre të përditshme.
“Shumë organizata, të cilat kanë pasur një mënyrë dhe vetëm një fije komunikimi, pra vetëm me një drejtues, i cili mund të jetë deputeti ose deputetja, anëtari i Këshillit Bashkiak ose një përfaqësues i organizatës së tyre, të kenë edhe një kontakt tjetër. Për të kuptuar se partia është pak më e madhe se thjesht ai grumbulli i vogël që mblidhet në një lagje. Në secilin prej komuniteteve tuaja kemi gjetur një djalë apo një vajzë, një president shkolle, një ekselent, dikë që vjen nga punët private dhe s’ka pikë nevoje e lidhje me shtetin, çka e bën partinë tonë më të fortë, më të lidhur, e na bën ne më dinjitozë, teksa komunikojmë në mënyrë të njëtrajtshme, nga qendra e Tiranës deri në periferinë e qarkut tonë të madh”, u shpreh Veliaj.