Prokuroria e Posaçme pas përfundimit të hetimeve ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetajt, akuzat të cilit do t’ia komunikoj më 26 mars, ka marrë në pyetje ish-gruan e tij, Albina Mançka.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala ndërsa mësohet se në vend të Mançkës, u paraqit avokati i saj, Ermir Beta.
Oficeri i BKH e informoi avokatin, që të njihet me aktet e dosjes.
Kujtojmë se ish-zv/kryeministri ndodhet në arrati dhe sipas SPAK, ka përfituar rryshfet nga bosët e inceneratorëve, si pasuri të paluajtshme dhe në formën e dhuratave apo pagesës së udhëtimeve.
Ahmetaj është nën hetim për veprat penale pastrim parash, korrupsion në 6 raste dhe fshehje pasurie.
Arben Ahmetaj si ish-ministër i financave dhe ekonomisë u vendos nën hetim për dosjet e inceneratorëve, mbas këqyrjeve në një kompjuter që i përket Klodian Zotos, i cili rezultoi se kishte paguar e prenotuar udhëtime luksoze për ish funksionarin, vlera e të cilave u llogarit nga SPAK në shumën e 34 mijë eurove.
Për hetimet SPAK i referohet një sërë dëshmish të biznesmenëve për që tregojnë se vilat në Palasë dhe në Hamallaj janë të lidhura me Arben Ahmetajn ndërkohë që nga një telefon “blackberry” i sekuestruar janë përftuar mesazhe dhe komunikime edhe me persona të tjerë, zyrtarë ish-zyrtarë dhe biznesmenë.