Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, në një konferencë të përbashkët me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Nevzad Lutfiu, prezantoi një nismë në fushën e arsimit univeristar.
Nga kjo nismë do të përfitojnë bursa studimi studentë nga Lugina e Preshevës.
Fjala e ministrit Igli Hasani
Konkretisht, duke filluar nga viti akademik 2024 – 2025, 30 studentë, vajza dhe djem nga Lugina e Preshevës do të kenë çdo vit mundësinë të kryejnë studimet universitare në Shqipëri, duke përfituar bursa studimi dhe akomodimin falas përgjatë gjithë periudhës së studimit. Jo vetëm kaq, por duke ndjekur modelin që ka propozuar Bashkia e Gjirokastrës dhe Universiteti i Gjirokastrës, e cila e ka nisur projektin që në tetor të vitit të kaluar, studentëve mund t’ju ofrohen edhe mundësi punësimi në Shqipëri gjatë muajve të verës. Kjo ditë, shënon një tjetër moment të rëndësishëm të mbështetjes për arsimin e bashkëkombësve tanë në Luginën e Preshevës nga ana e Shqipërisë, pas kontributit të dhënë nga Bashkia e Tiranës me fonde e donacione për rikonstruksionin e shkollave dhe palestrave sportive për nxënësit shqiptarë, në komunat e Preshevës dhe Bujanocit.
Angazhimi i Qeverisë Shqiptare për të mbështetur qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës nuk mbaron këtu. Ky angazhim nuk përfshin vetëm Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme apo vetëm universitetet e bashkitë, sepse këtu bëhet fjalë për një vullnet të qartë e të shprehur të qeverisë shqiptare, të Kryeministrit Edi Rama, për të mbështetur në çdo fushë e përmes sa më shumë nisma konkrete për vëllezërit e motrat tona në Preshevë. Kështu, Shërbimi ynë i Jashtëm ka bërë një punë të mirë për të dakordësuar bashkëpunimin mes Unionit të Afaristëve Shqiptarë dhe Fondit Humanitar të Luginës së Preshevës me Dhomat e Tregtisë e Industrisë së Tiranës dhe Këshillin Kombëtar të Agro-bujqësisë.
Ndërkohë, janë duke u shqyrtuar me shumë prioritet, mënyrat sesi mund të ofrohet për Luginën, mbështetje për specializime në fushën e mjekësisë dhe të zhvillimit të praktikave mjekësore pranë spitaleve shtetërore apo private në Shqipëri por mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe medias.