Personazhet e “Big Brother” kanë krijuar tashmë lojën e tyre, duke prodhuar situata të ndryshme brenda shtëpisë. Ndonëse transmetohet 24 orë, të shumta janë ndodhitë që edhe i shpëtojnë syrit të publikut.
Megjithatë, është e pashmangshme që të tilla detaje mos të vihen re në rrjetet sociale. Pak ditë më parë, në rrjet ka qarkulluar një video, ku duket se situata në shtrat, është më e nxehtë se zakonisht mes Ilnisës dhe Meritonit.
Kaq ka mjaftuar që të përflitet se në fakt, poshtë çarçafëve, dyshja ka kryer edhe marrëdhënie seksuale. Megjithatë, nga pamjet pak dallohet, duke qenë se çifti kishte preferuar që të mbulohej i gjithi. Kjo situatë nuk ka shpëtuar pa u vënë re nga banorët e tjerë të shtëpisë. Kanë qenë Egla, Albi dhe Juli të cilët e kanë komentuar me njëri-tjetrin këtë situatë. Juli ka hedhur dyshimet se çifti po kryejnë marrëdhënie seksuale.
Egla e revoltuar i është përgjigjur se nuk e beson një gjë të tillë, pasi është shumë e shëmtuar që të ndodhë brenda BBV. Juli ka vazhduar duke i kujtuar banorëve pyetjen që i ka bërë pak më parë Meritonit nëse do kryente marrëdhënie për të shkuar në finale. Në pamjet e publikuara, çifti është poshtë jorganit, teksa është Ilnisa që i drejtohet Meritonit me fjalët: “Do flemë gjumë tani? Ma premton? Më puth? A më do?”.
Çifti i “Big Brother Vip”, Meriton Mjekiqi dhe Ilnisa Agolli janë treguar të papërmbajtshëm para kamerave edhe pak kohë më parë, duke treguar se nuk kanë tabu. Moderatori e ka prekur gazetaren te të pasmet, teksa të dy qëndronin në dhomën e gjumit duke biseduar. Meriton Mjekiqi shihet teksa i kap të pasmet Ilnisës dhe e puth e përkëdhel pa u shqetësuar për praninë e kamerave. Ndërsa në momentin që u shtrinë në krevat, dyshja u mbuluan me çarçaf dhe shkëmbyen puthje.
“Larg nga unë, t’i nuk ke limite”, i drejtohet Ilnisa në një moment, më pas i kërkon: “Shko më merr një kos frutash, dua të ha një gjë të ëmbël. (Qesh)”. Deri më tani, asnjë video nuk është transmetuar për publikun në netët e spektaklit, duke lënë gjithçka në enigmë. Por më herët, Ilnisa është pyetur rreth idesë që ajo kishte për marrëdhëniet seksuale brenda shtëpisë.
“Big Brother” organizoi një lojë ku banorët do t’i bënin njërit-tjetrit. Por, duket se disa nga konkurrentët e kanë përdorur këtë gjë për t’u hakmarrë ndaj banorëve të tjerë dhe kanë bërë pyetje provokative. Një nga këto pyetje ishte për Ilnisën. Moderatores iu bë pyetja nëse do të bënte seks për të shkuar në finalen e këtij edicioni. Ndërsa Ilnisa refuzoi përgjigjen dhe tha se është një pyetje skandaloze.
“Refuzoj në mënyrë kategorike të përgjigjem për llojin dhe nivelin e pyetjes. Mendoja se në këto momente pyetjet do të ishin… Është skandaloze dhe e mjerë situata ku jemi këtu bashkë dhe është e mjerë mënyra se si mendoni”, tha Ilnisa. Një tjetër episod, i pakëndshëm që nuk është transmetuar është pikërisht dhe një përplasje, që ka çuar në përballje fizike mes dy femrave. Dy banoret, Heidi Baci dhe Roza Lati, patën një përplasje të ashpër gjatë këtyre ditëve në “Big Brother VIP Albania 3”.
Duket se kjo përplasje nga ana e moderatores ka eskaluar, duke shkaktuar dhunë fizike, kjo është parë në një video në rrjetin “TikTok”, video e cila nuk ishte transmetuar gjatë “prime”-t të kaluar. Gjatë një bisede mes Artës, Rike Roçit, Ledjonës dhe Eglës për debatin që patën dy banoret, Arta është shprehur se i ka parë shenja në dorë Heidit.
“Ishin shumë të tensionuara, unë thashë se çfarë po ndodhte edhe pak… ( duke nënkuptuar përleshje fizike) Bëra mirë që ndërhyra”, u shpreh Arta.
Sipas Rikes e Artës, debati agravoi në atë pikë ku banorët janë detyruar të ndërhyjnë. “U prekën me dorë nga thonjtë”, është shprehur Rike, derisa Arta tha se bënë mirë që ndërhynë. Një moment tjetër viral është gjatë spektaklit kur Roza shkon pranë Albit duke i thënë: “Shyqyr që nuk nxorën atë pjesën”.
Reagim të menjëhershëm ka pasur nga produksioni, të cilët e kanë ndaluar mikrofonin e Rozës dhe Albit. Mesa duket, moderatorja ka qenë e vetëdijshme që e ka prekur Heidin, por nuk ka dashur të ekzagjerohet. Duket se ky konflikt, që mund të çonte në përjashtimin e Rozës, është vendosur që të mbahet i fshehtë nga produksioni, duke preferuar që gjithçka të kalohej pa u vënë re. megjithatë, në “Tik-Tok”, video është publikuar, ku mes dy vajzave duket që ka më shumë sesa një debat me tone të larta.
Një tjetër përplasje e ashpër mes banorëve, ka qenë edhe ajo e Meritonit dhe Fatjonit. Dy djemtë, prej disa ditësh nuk kanë një raport të mirë me njëri-tjetrin dhe duket se një debat i thjeshtë mes tyre, teksa ishin brenda në pishinë, u shndërrua në një sherr me tone të larta. Megjithatë, ndërhyrja e banorëve të tjerë, ka bërë që të shmanget një përplasje fizike mes tyre.
Megjithatë, gjatë debatit, kamerat janë larguar nga protagonistët, duke mos dashur që të regjistrojë një përplasje fizike. Megjithatë, si Fatjoni ashtu edhe Meritoni, janë tërhequr pasi kanë ndërhyrë banorët e tjerë. Shpesh në shtëpinë e “Big Brother”, ndodhin situata që kamera përpiqet t’i shmang, duke mos dashur të paraqesë për publikun një anë tjetër të personazheve që janë pjesë e lojës.
Kryesisht debatet, sherret me ofendime, apo porositë që merren te dhoma e rrëfimit, kalojnë në heshtje nga produksioni, ndonëse banorët i përmendin, duke nxjerrë në dritë detaje, që publiku nuk i sheh, apo nuk i di.