Mauricio Sarri ka qenë i papërmbajtshëm mbrëmë gjatë sfidës që skuadra e Lacios humbi përballë Milanit në “Olimpico”. Trajneri ishte vazhdimisht i inatosur me gjyqtarin kryesor Marko Di Belo dhe nuk ngurroi t’ia shprehte inatin e tij edhe homologut Stefano Pioli, me të cilin ishte takuar shumë miqësisht para sfidës.
Momenti më shpërthyes i trajnerit të lacialëve ishte ai i kartonit të kuq të Pelegrinit. Në ato momente, ai kërceu i inatosur nga vendimi i gjyqtarit për t’i dhënë të kuqin futbollistit të tij, teksa për një moment i fluturuan edhe syzet që ia sollën asistentët në pankinë.
Ai shkoi duke ulëritur para gjyqtarit të katërt, teksa shpjegonte se Pelegrini kishte ndalur lojën për shkak të dëmtimit të Kastejanos dhe se në fakt Pulisiç kishte bërë gjest antisportiv. Më pas, shumë i nervozuar, ai iu drejtua Stefano Piolit.
“Mos na e ktheni më topin se përndryshe do të tërbohem”, tha ai, duke lënë të kuptohet se pas këtij rasti antisportiviteti, ishte e kotë që Milani t’u kthente përsëri topin bardhekaltërve në shenjë “Fair Play” pasi ishte e qartë që Kastejanos ishte dëmtuar. Kjo solli shkëmbimin e batutave të mëtejshme mes tij dhe Piolit rreth këtij rasti, teksa Sarri i tregonte lojtarin e tij të dëmtuar. “:E sheh, e sheh”, u dëgjuan ulërimat e tij.
Një tension që vazhdoi gjatë të gjithë sfidës e cila u mbyll me trajnerin që nuk foli para mediave.