Mbi 100 mijë të rinj që jetojnë në bashkitë Fier, Mat, Malësi e Madhe, Librazhd, Sarandë dhe Korçë, tashmë do të kenë më shumë hapësira të sigurta për ta, qendra rinore dhe qendra multifunksionale krejtësisht të dedikuara për të rinjtë.

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR), Geron Ibrahimi nënshkruan kontratat me Bashkinë e Fierit, Matit, Malësisë së Madhe, Librazhdit, Sarandës dhe Korçës, si fitues të granteve për infrastrukturë rinore nga Thirrja e tretë që po financohet me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, nëpërmjet AKR-së.

Ministrja Bora Muzhaqi shprehet se “Ky është viti i tretë që së bashku me Agjencinë Kombëtare të Rinisë mbështesim bashkitë për t’ju ofruar të rinjve hapësira moderne dhe cilësore me qëllim rritjen e hapësirave rinore në mbarë Shqipërinë ku të rinjtë mund të realizojnë aktivitete që rrisin përfshirjen në jetën sociale, por edhe ndikojnë në zhvillimin personal të tyre”, duke evidentuar se në dy vitet e para të kësaj thirrje janë mbështetur 9 bashki, Lezha, Elbasani, Tirana, Roskoveci, Durrësi, Gjirokastra, Lushnje, Dibra dhe Kamza.

Fokusi i projekteve të bashkive fituese është rikonstruktimi apo ndërtimi i një qendre rinore për qytetin, të konceptuara edhe si hapësira multifunksionale, ku të rinjtë angazhohen në trajnime, kurse të ndryshme, teknologji, sipërmarrje, këshillim karriere, debat, lexim, dhe për aktivitete të ndryshme rinore e bashkëbisedime.

Në total nga mbështjetja me grant për bashkitë sipërpërmendura pritet që të ndikohen rreth 108 233 të rinj të grupmoshës 15-29 vjeç.

Në bashkinë Fier me mbështetjen e AKR-së do të financohet projekti SKYHIGH RINOR: Projekti i hapësirës së Rinisë që Shkëlqen mbi Qytet, që do të ndikojë 47 000 të rinj. Projekti ka në fokus ngritjen e një qendre multifunksionale rinore e cila ka për qëllim të ofrojë një hapësirë të re dhe të përshtatshme për aktivitetet rinore, duke i dhënë mundësinë të rinjve të zhvillojë aftësitë dhe talentet e tyre dhe të ndikojë në zhvillimin e qytetit dhe të rajonit.

Një qendër rinore multifunksionale ka qenë edhe kërkesa e të rinjve të Bashksië Mat, një projekt i kërkuar nga të rinjtë e këshillit vendor rinor. Projekti “RINOVART” Qendër rinore multifuksionle, për të mbështetur sipërmarrjen, startup-et, inovacionin dhe artin, pritet të krijojë më shumë mundësi për rreth 3200 të rinj.

Edhe Bashkia Librazhd do të ndërtjë një qendër rinore e cila do të ndikojë 962 të rinj, të cilët do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e shumë mundësive për të rinjtë, me klubet e debatit, artit, kulturës, teknologjisë së informacionit dhe leximit, duke krijuar një hapsirë të sigurtë për të rinjtë e qytetit.
Kurse, Bashkia Korçë do të rehabilitojë Qendrën Rinore prej të cilës do të përfitojnë 50 371 të rinj. Qyteti i Korçës tashmë do të ofrojë edhe një hapsirë të re për të rinjtë, ku do të ofrohen më shumë mundësi për edukimin joformal, aktivitete kulturore dhe artistike, shërbime në funksion të këshillimit të karrieres, mundësi për projekte sociale dhe vullnetarizëm, teknologji e shumë të tjera. Një tjetër fokus i rëndsishëm i qëndrës rinore do të jetë dhe përfshirja dhe mbështetja e grupeve të margjinalizuara si dhe parandalimi i problemeve të rinisë me anë të ofrimit të shërbimeve mbështetëse të këshillimit dhe ndërgjegjësimit.

Një tjetër qendër rinore multifunksionale do të realizohet edhe në Bashkinë Sarandë, që do të ndikojë 6000 të rinj. Qendra Rinore Kreative Multifunksionale Sarandë, në një vendodhje kyçe të qytet vjen si domosdoshmëri për transformimin e vizionit të shoqërisë dhe krijimin e një mjedisi miqësor për të rinjtë që të kenë mundësi të rrisin kapacitetet dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në moshë të hershme. Kjo qëndër rinore do të përfshijë një bibliotekë, mini-kinema, hapsirë për podcaste, ekspozita dhe kurse për zhvillimin e aftësitëve teknologjike të të rinjve.

Në Bashkinë Malësi e Madhe, e cila do të implementojë projektin Kompleksi Rinor “Syri i Sheganit”, do të ndikohen 700 të rinj. Kompleksi rinor “Syri i Sheganit” është një strukturë e përbërë nga katër shtëpiza, të cilat do të vihen në dispozicion për aktivitete dhe veprimtari rinore, për ti afruar të rinjtë e Malësisë së Madhe më shumë me natyrën, dhe për të shfrytëzuar bukuritë natyrore të zonës për të zhvilluar aktivitete rinore me fokus turizmin, inovacionin dhe zhvillimin e mëtejshëm të qytetit.