Blendi Fevziu ka komentuar procesin ndaj Fredi Belerit, duke u ndalur te ndërhyrjet dhe protesta e vazhdueshme e Greqisë.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, gazetari tha se ndërhyrja e Greqisë ka qenë e patolerueshme dhe arrogante, madje duke deklaruar se Greqia nuk ka punë fare me zgjedhjet në Himarë, pasi aty nuk ka as minoritet.
“Ndërhyrja e Greqisë është e padrejtë, e patolerueshme dhe jo normale. Ç’punë ka Greqia me zgjedhjen e një kryetari bashkie në Shqipëri? Greqia nuk ka punë fare me zgjedhjet në Shqipëri.
Greqia ka të drejtë të mbrojë minoritetin grek, ku kjo pjesë nuk hyn fare se nuk është minoritet. Edhe koncepti i minoritetit ka ndryshuar në Evropë. Greqia tregon një arrogancë të patolerueshme. Nëse ata kanë shqetësime për zgjedhjet, duhet ta kenë për çdo vend, në parim, por nëse e bën për një person është skandaloze.
Lidhur me kandidimin e Belerit, i qëndroj mendimit që ka qenë i gabuar dhe se emri i tij ka qenë i lidhur edhe me masakrën e Peshkëpisë.
Kam shënimin e nënës së Arsen Gjinit, që thotë burri im vdiq me ankthin, se si na vranë djalin 17 vjecar. I kanë vrarë një ushtar dhe një oficer, një bandë njerëzish. Nuk e di a ka qenë Beleri aty, por ka qenë i përfolur dhe për sa kohë është kështu nuk mund të kandidosh. Ky ka qenë problemi im me Belerin. Ka të drejtën të jetojë dhe të zhvillojë biznesin e tij në Shqipëri, por Shqipëria ka edhe një lloj morali”, tha Fevziu.