Deputeti i PS Denis Deliu u shpreh se pas hapjes së bazës ajrore ushtarake të NATO-s në Kuçovë, shumë shpejt do të hapet dhe baza detare në Porto Romano.
Ai u shpreh se dislokimi i trupave të NATO-s në vendin tonë, është një lajm shumë i mirë dhe tregon mbrojtje dhe siguri.

“Kjo është një garanci për Shqipërinë, Ballkanin, është parandaluese dhe mbrojtëse. Në Porto Romano do të ndërtohet kjo bazë detare e NATO. Ky është një lajm i mirë për vendin se do të rrisë forcat e NATO në vend. Do ndikojë në nivelin e mirëqenies dhe ekonomik në zonë.

Mendoj se NATO ka vendosur që kjo bazë të ndërtohet shpejt, duke parë dhe agresionin e Rusisë, dhe mendoj se Shqipëria është vendi më i denjë që NATO të dislokohet. Sepse nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë, radhën do të ketë Ballkani Perëndimor, Gjeorgjia, Moldavia, etj…

Vendet e NATO nuk mund të sulmohen vetëm në rast të një lufte të tretë. Mendoj se vendet e NATO kanë arsye që të jenë të sigurta. Ballkani Perëndimor mbetet i brishtë, pasi e pamë dhe në sulmin e Banjskës… Mendoj se baza detare është shumë e nevojshme, sepse prezenca e NATO këtu do të parandalonte një konflikt tjetër të armatosur në Bosnje dhe Veri të Kosovës”, tha ai.