Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Holta Zaçaj thotë se nuk i takon politikës të vendosë se si të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi është Kushtetuta ajo që përcakton domosdoshmërinë e zbatimit të tyre. Ajo foli në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë një vizite të një delegacioni të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë në Uashington për takime në Departamentin e Drejtësisë dhe atë të Shtetit. Zonja Zaçaj tha se moszbatimi nga institucionet i vendimeve të saj tregon nivelin e demokracisë në vend. Ajo hodhi poshtë akuzat se gjykata është e njëanshme.

Zëri i Amerikës: Fillimisht të flasim për synimin e kësaj vizite këtu në Uashington. Cili ishte objektivi i saj?

Holta Zaçaj: Kjo vizitë ishte një vizitë e programuar mes dy gjykatave dhe partnerëve të reformës në drejtësi, me Departamentin e Drejtësisë dhe Departamentin e Shtetit. Gjithashtu, patëm edhe një vizitë në Dhomën e Avokatëve Amerikanë dhe në Universitetin Georgetown.

Zëri i Amerikës: Le të kalojmë tani tek disa nga temat e Shqipërisë dhe të punës së Gjykatës. Në Shqipëri, disa vendime të Gjykatës nuk po gjejnë zbatim nga Parlamenti ose po zvarriten në kohë, siç është rasti i mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Është një situatë e pazakontë. Në një mungesë të një mekanizmi që të zbatohen këto vendime, çfarë bëhet? Është një situatë shqetësuese…

Holta Zaçaj: Është një pyetje, në fakt, e përsëritur për Gjykatën dhe për mua personalisht në daljet e mia në media. Është vërtet një situatë e pazakontë dhe e pamundur që të ndodhë në një shtet demokratik. Unë e kam përmendur dhe herë të tjera – vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën, në fakt, zbatim të vetë Kushtetutës. Kështu që fjalët janë të tepërta për të dhënë një mesazh më tepër përtej kësaj që unë sapo thashë. Çdo vendim duhet të zbatohet. Nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër dhe arsyeja pse nuk ka një mekanizëm tjetër është sepse është e pamundur të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kështu që nuk mbetet shumë për të interpretuar në këtë moment.

Zëri i Amerikës: Por realiteti është i tillë që po zvarriten disa nga këto çështje…

Holta Zaçaj: Gjykata përveç kësaj që unë sapo shpreha, nuk mund të bëjë një deklaratë tjetër. Patjetër që institucionet, të cilat janë të ngarkuara për zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të sillen në mënyrë kushtetuese. Ky është mesazhi që unë kam.

Zëri i Amerikës: Një tjetër vendim i Gjykatës ka të bëjë me votën e emigrantëve, e cila duket se nuk do të arrijë të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme. A e shikoni këtë si mungesë të vullnetit politik në vend dhe a do ta prekë moszbatimi i tij legjitimitetin e zgjedhjeve të ardhshme?

Holta Zaçaj: Besoj që unë i dhashë përgjigje kësaj pyetjeje. Domethënë, fakti që kemi një vendim apo një tjetër nuk ndryshon qasjen e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zbatimin e vendimeve të saj. Gjykata flet me vendime, vendimet e Gjykatës duhet të zbatohen, vendimet e Gjykatës nuk kanë ekuivok, nuk është lënë në çmim të politikës të vendosi se si dhe në ç‘mënyrë duhet të zbatojë vendimet. Vendimet janë të vetëzbatueshme. Kështu që çdo veprim që nuk përkon me atë që është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, besoj që nuk është vendimi i duhur ose nuk janë veprime të duhura.

Zëri i Amerikës: A tregon kjo një mosrespektim të një dege të rëndësishme të qeverisjes në Shqipëri?

Holta Zaçaj: Patjetër që është një indikator i llojit të demokracisë që kemi dhe të stadit të demokracisë që kemi.

Zëri i Amerikës: Opozita e ka kritikuar Gjykatën disa herë se mban anën e qeverisë për disa vendime që kanë pasë një përfundim të ngushtë, siç ishte ai për paktin Rama-Meloni. Si u përgjigjeni këtyre kritikave?

Holta Zaçaj: Ne vlerësojmë shumë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e fjalës, e cila është një nga liritë më të rëndësishme në Kushtetutë, por patjetër çka i lejon të gjithë aktorëve të japin mendimin dhe opinionin e tyre. Vendimi i Gjykatës është ai që jepet dhe ne si gjyqtarë nuk komentojmë përtej kësaj. Patjetër që në çdo vendim të Gjykatës ka palë që mbeten të pakënaqura siç ndodh në çdo vendimmarrje tjetër të çdo gjyqësori. Kështu që pjesën e kriticizmit apo të mendimeve të ndryshme ne e shohim si një vlerë të demokracisë në lidhje me zbatimin dhe respektimin e të drejtës për t’u shprehur. Por përtej kësaj vendimi i gjykatës ka argumentet e tij, siç ka edhe argumente të gjyqtarëve që janë pakicë për një çështje apo një tjetër. Përtej kësaj, është e pamundur për ne të komentojmë. Sigurisht, respektojmë mendimin ndryshe që vjen nga publiku, por si një mendim që i takon publikut. Gjykata, kini parasysh, vepron në mënyrë hermetike. Është luftuar për të pasur një gjykatë hermetike dhe gjyqtarë të pavarur apo gjykatë të pavarur. Kështu që pjesa tjetër se si mendon publiku për një vendim të Gjykatës, i cili bazohet në Kushtetutë dhe duhej të bazohej vetëm në Kushtetutë dhe në ligj, është në fakt vetëm një arritje e të drejtës për t’u shprehur. Përtej kësaj, Gjykata ka folur.

Zëri i Amerikës: Megjithëse gjykata vepron në mënyrë hermetike, vota e anëtarëve, apo se si mendojnë ata, del publikisht. Disa nga vendimet janë marrë 5 me 4. A e cënojnë autoritetin dhe besueshmërinë e gjykatës këto rezultate shumë të afërta?

Holta Zaçaj: Jo. Unë mendoj që kjo është një shenjë e demokracisë. Dhe fakti që gjykata dhe gjyqtarët funksionojnë në mënyrë të pavarur, fakti që kemi vendime 5 me 4, vendime 6 me 3, tregon vetëm që gjyqtarët janë të pavarur, ata nuk veprojnë nën presion, nuk ka asnjë lloj presioni të brendshëm brenda gjykatës për të pasur, si të thuash, unanimitete false. Kështu që ne e shohim si një shenjë të demokracisë së brendshme të institucionit, por dhe pavarësisë së institucionit në përgjithësi. Kjo ndodh rëndom. Ndodh edhe në këtë vend. Ndodh edhe në shumë vende të tjera, ku gjyqtarët ndahen. Fakti që procedura në Shqipëri lejon që gjyqtarët e pakicës të shprehin mendimet e tyre, është një mënyrë tjetër për të treguar, ose një instrument në njëfarë mënyre llogaridhënieje për publikun, për t’u shprehur se si secili mendon për një çështje, por përtej kësaj kjo nuk cënon vendimmarrjen vetë.

Zëri i Amerikës: Për një rast tjetër konkret, që ishte po ashtu i pazakontë, për Butrintin, që për shkak se qeveria nuk e dha një dokument të UNESCO-s, u bë hapi i pazakontë i rihapjes së kësaj çështjeje. Kjo nxori në pah pikërisht faktin që qeveria nuk dha një dokument që duhet ta kishte dhënë. Si e vlerësoni ju një gjë të tillë?

Holta Zaçaj: Çelja e hetimit gjyqësor në fakt është një procedurë e cila parashikohet në rregulloren e gjykatës dhe në ligjin. Dhe është një gjë që ndodh edhe në gjyqësorin e zakonshëm. Pra ndodh vetëm atëherë kur një provë e caktuar, e cila nuk ishte e mundur të merrej gjatë zhvillimit normal të procesit gjyqësor, bëhet e ditur që ekziston dhe për këtë shkak, për shkak të kërkesës që kanë palët për këtë çështje, gjykata patjetër ka për detyrë ta marri në konsideratë.

Zëri i Amerikës: …E kisha fjalën që në këtë rast nuk u arrit të merrej sepse nuk u dha një dokument që duhej të jepej. Ishte një detyrim që të jepej.

Holta Zaçaj: Dua t’ju shpjegoj diçka, që gjyqi në Gjykatën Kushtetuese patjetër që bazohet mbi dokumentet dhe palët që bëjnë dëshmi dhe që japin informacion, mbajnë përgjegjësitë e tyre. Por, nuk është një gjyq penal. Pra, ka karakteristika të ndryshme gjykimi kushtetues nga ai i gjykimit penal. Deri në atë moment, përfaqësuesit e qeverisë thanë që nuk e dispononin këtë raport. Dhe më pas rezultoi që ishte dërguar në një kohë të caktuar nga UNESCO. Për gjykatën e rëndësishme është që gjykimi kushtetues dhe vendimmarrja kushtetuese të bazohet mbi të gjitha provat e mundshme. Dhe ne prandaj e përdorëm atë instrument procedurial që na e lejon rregullorja dhe ligji, për të arritur më afër së vërtetës, për atë që vlen kjo provë. Përtej kësaj, secili organ i përfshirë në proces mban përgjegjësitë e veta dhe ky është komenti im për këtë çështje.