Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla uroi sot besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të Muajit të Bekuar të Ramazanit.

“Uroj të gjithë besimtarët myslimanë dhe qytetarët shqiptarë: Shëndet e gëzime në familje! Nevoja dhe tradita për të dashur e mbështetur njëri-tjetrin tejkalon çdo besim e komunitet fetar dhe zbukuron jetët tona”, u shpreh Nikolla në mesazhin e saj.

Sipas saj, “mozaiku fetar është një pasuri kulturore e kombëtare e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”.

“Sakrifica, vullneti dhe durimi që besimtarët dëshmojnë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, sjellin rritjen shpirtërore, na afrojnë me njëri-tjetrin dhe lehtësojnë përballimin e vështirësive. Agjërim të lehtë e të pranuar”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.