Festa e mësuesit ka qenë një simbolikë e bukur për nxënësit e shkollës “Servete Maçi”. Ata kanë zgjedhur të japin kontributin e tyre, duke mbjellë pemë në parkun e Liqenit Artificial. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili iu bashkua aksionit, vuri në dukje se përveç të qenit nxënës të mirë në mësime, mbi të gjitha, është shumë e rëndësishme fakti i të qënit qytetarë të mirë.

“Është shumë e rëndësishme që ne, mbi të gjitha, të jemi qytetarë të mirë. Notat janë të rëndësishme. Unë besoj se kush i përkushtohet shkollës, do ecë shumë përpara në jetë, por është po aq e rëndësishme të jemi edhe qytetarë të mirë, jo secili për vete, por të mendojmë pak edhe për qytetin”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku gjeti rastin të shprehë mirënjohjen dhe respektin për mësuesit dhe mësueset e kryeqytetit, të cilët kontribuojnë në formimin e brezave të rinj dhe vlerësoi faktin se sot, kujdesi për natyrën, po merr një rëndësi të veçantë.

“Gëzuar 7 Marsin mësuesve dhe mësueseve të mrekullueshme të Tiranës. Po shikoja ato mimozat atje, që nuk i ka shkulur askush, shoh kumbullat e qershiat që kanë çelur lulet, sepse kur isha unë në moshën tuaj, liqeni pësonte një batërdi. Vinin të gjithë shkulnin mimozat, kumbullat e qershitë, me demek që të kënaqej mësuesja për 7 Marsin. Në fakt, ne prishnim natyrën, kurse sot është një kënaqësi e madhe kur shkon sa kemi ndryshuar”, u shpreh Veliaj.