Kryeministri nacionalist i krahut të djathtë të Hungarisë, Viktor Orban i dha mbështetjen e tij aleatit të tij, Donald Trump, për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë pas takimit në Florida të premten vonë. Raportohet se ata diskutuan për një gamë të gjerë çështjesh që prekin Hungarinë dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë mbrojtjen e kufinjve për të mbrojtur sovranitetin e çdo kombi.

“Ne kemi nevojë për liderë në botë që respektohen dhe mund të sjellin paqe. Ai është një prej tyre! Kthehuni dhe na sillni paqen, zoti President!”, tha Orban në një postim në X pas takimit.

Orban ka qenë prej kohësh në mosmarrëveshje me kolegët e tij anëtarë të Bashkimit Evropian për një sërë çështjesh, duke përfshirë refuzimin për të dërguar armë në Ukrainë dhe mbajtjen e lidhjeve ekonomike me Moskën që kur forcat ruse pushtuan Ukrainën në vitin 2022. Ai ka thënë se vetëm kthimi i kandidatit republikan Trump në Shtëpinë e Bardhë mund të sjellë paqe në Ukrainë. Orban tha se nuk do të kishte një luftë në Ukrainë tani nëse Trump do të ishte rizgjedhur në vitin 2020.

Ai ka kritikuar gjithashtu sanksionet e BE-së kundër Rusisë, ndonëse kurrë nuk vuri veton ndaj tyre në fund, dhe ndaloi një vendim të BE-së për dhënien e ndihmës së re për Ukrainën dhjetorin e kaluar, derisa përfundimisht u pajtua në fillim të këtij viti.