Furrat e bukës në vend nuk do ta blejnë energjinë me çmim të unifikuar 7.6 lekë kilovat/orë, nëse funksionojnë edhe si pastiçeri apo kanë bar-kafe.
Çmimi i energjisë elektrike do të rritet me 1.9 lekë kilovati për ato furra që prodhojnë edhe produkte pastiçerie, dhe do rritet me 4.4 lekë kilovatit për furrat-pastiçeri që funksionojnë edhe si bar-kafe.
Çmimi aktual prej 7.6 lekësh kilovati do të jetë në fuqi për ato furra që prodhojnë vetëm bukë. Fashat e reja të çmimeve u propozuan nga drejtori i OSHEE, Enea Karakaçi në një takim me shoqatën e furrave të bukës.
“Sot ne vijmë me një propozim që ka 3 çmime. Ka një çmim që është 7.6 lekë për kilovatorë që është vetëm për ato subjekte që kanë vetëm furrë buke, asgjë tjetër. Kemi një çmim 9.5 lekë që është për ato ambiente që kanë furra buke por që kanë dhe aktivitete pak më të integruara siç mund të jetë shitja e pastiçerisë apo dhe e produkteve të tjera të brumërave. Dhe kemi një çmim tjetër që është 12 lekë që është për ato ambiente që janë më të zgjeruara që kanë të përfshirë bar dhe kafe”, tha Karakaçi.
Propozimet me çmimet e reja do t’i shkojnë Entit Rregullator të Energjisë që do të marrë vendimin final, nëse do t’i miratojë ose jo. Shkak për këtë vendim, tha Karakaçi është bërë abuzimi nga këto subjekte, dhe se për këto fasha është arritur dakordësi edhe me Shoqatën e Furrave.
“Ka pasur disa problematika dhe diskutime me përfaqësuesit e shoqatës sepse tipologjia e biznesit ka ndryshuar, nuk prodhohet vetëm bukë por janë zgjeruar dhe kanë shërbim më të gjerë deri tek bar-kafe. Gjatë disa viteve ka pasur, disa tentativa por nuk është gjetur dakordësia për alternativat e propozuara si për ndarjen me dy matësa apo me dy NIPT-e apo ambiente specifike,” tha drejtori i OSHEE.
Aktualisht në vend operojnë 2600 furra buke dhe konsumi vjetor i energjinë arrin në 66 milionë kilovat, duke u kthyer në një nga konsumatorët më të mëdhenj në vend. Deri në miratimin e çmimeve nga Enti Rregullator i Energjisë, çmimi për të gjitha furrat do të jetë 7.6 lekë për kilovat.