Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Duke folur për gazetarë në Prishtinë, Osmani tha se raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, rekomandon se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
“Në qoftë se lexoni letrën e saj, në veçanti paragrafi 11-të i raportit, e qartëson se kur flitet për Asociacionin, flitet si një prej detyrimeve pas anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit”, tha Osmani.

Osmani i bëri këto komente pasi i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë REL-it më 15 mars, sugjeroi se Asociacioni dhe çështja e disa shpronësimeve në veri të Kosovës mund të nxirren si kushte shtesë nga disa shtete evropiane. Sot pasdite Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës do të mbajë një mbledhje, ku pritet të votohet raporti i Bakoyannis. Kosova aplikoi në maj 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i saj është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim. Nëse Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare në prill, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.

Osmani tha se Kosova e ka dhënë përkushtimin e saj për ta themeluar Asociacionin më 2013 dhe më 2023, “pra ky nuk është përkushtim i marsit 2024, është përkushtim i marrëveshjes bazike të viti 2023”.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Por më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Të hënën, Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi tha se e mbështet deputeten e vet, Maja Vukiçeviq, si kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

Osmani tha se institucionet kosovare janë angazhuar për të lobuar me vendet anëtare për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.
“Janë disa hapa që kanë mbetur por ajo që mund të them është se të gjitha nivelet e institucioneve janë angazhuar me deputetët e Asamblesë Parlamentare, por edhe jemi duke biseduar me shtet veç e veç, si presidente në veçanti jam e angazhuar me liderët e shteteve”, tha Osmani.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut./ REL