Parlamenti Europian dhe Këshilli i Bashkimit Europian ende nuk kanë arritur një pajtim të plotë mbi tekstin e vendimit për planin e BE-së për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Këto dy institucione të bllokut janë duke vazhduar bisedimet nën një presion të madh kohor, thotë Radio Europa e Lirë. Për OK-in zyrtar të planit që përfshin i cili përfshin 6 miliardë euro ndihmë financiare për gjashtë vendet e rajonit, duhet të ketë dakordësi mes Parlamentit Europian dhe Këshillit. Burime për REL thonë se qëndrimet janë përafruar, por ende mes këtyre dy organizmave nuk ka pajtim të plotë.
Raundi i ri i bisedimeve mes PE-së dhe Këshillit për këtë çështje do të mbahet më prill, e ky do të jetë edhe takimi i fundit. Nëse nuk ka pajtim deri atëherë, nuk do të jetë e mundur që vendimi të votohet në seancë plenare të Parlamentit Europian, zgjedhjet për të cilin mbahen në qershor, ndaj dhe seancat e fundit plenare do të mbahen nga 21 deri më 24 prill. Votimi për këtë plan është planifikuar në datën 23 prill. Përpara votimit megjithatë, duhet të përfundojnë bisedimet mes Parlamentit dhe Këshillit, dhe marrëveshja e tyre të votohet në komisionet e politikës së jashtme dhe të buxhetit.
Nëse plani dështon të votohet deri atëherë, ai do t’i mbetet në dorë përbërjes së re të Parlamentit Europian, që do të thotë shtyrje nga fundi i këtij viti. Ndërkohë në Bruksel thonë se po përpiqen fort që pagesat e para nga ky fond për vendet e rajonit të cilat i përmbushin kushtet, të bëhen që në pjesën e dytë të vitit.
Pengesë kryesore për gjetjen e kompromisit duket është bërë këmbëngulja e Këshillit që fjalën kryesore për administrimin e këtij plani ta ketë ai vetë, ndërsa Parlamenti gjithashtu pretendon një rol në vendimet për të pranuar programet e reformave nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si kusht për pagesat nga ky fond.